Kryeministri Edi Rama njoftoi se do të ketë masa të reja kufizuese kundër përhapjes së koronavirusit. Gjatë një konference për gazetarët, ai u shpreh se ditën e mërkurë do të mblidhet Komiteti Teknik për të diskutuar për masat.
“Komiteti Teknik mblidhet nesër, ata po diskutojnë. I kemi dëgjuar, janë të shqetësuar. Do ketë një shtrëngim të masave.”
Rama tha se shqetësimi është për mosrespektimin e masave dhe jo vetëm për numrat. Ai tha se vendi nuk do të mbyllet por vaksina është “shpëtimi” nga virusi.
Të hënën, Rama lajmëroi rritjen e gjobave për bizneset dhe shtrëngimi e masave kufizuese për qytetarët që nuk zbatojnë masat kundër përhapjes së Covid-19.
Aktualisht në vend është në fuqi shtetrrethimi pas orës 22:00, mbajtja e maskës në ambjentet e brendshme dhe të jashtme, si dhe gjoba prej 1 milionë lek për bizneset që thyejnë këto masa.
Javën e fundit në vend u regjistruan mbi 1000 raste të infektuara në vend, duke shënuar shifra rekord që prej nisjes së pandemisë.