Kryeministri Rama paralajmëroi sot Partinë Demokratike se marrëveshja mes PS e PD mund të prishet nëse opozita nuk ndihmon me votat e saj në formimin e institucioneve të vettingut.
Gjatë një takimi me mbështetës të Partisë Socialiste në Kashar, Kryeministri Rama deklaroi:
“Vettingu është arsyeja themelore pse ne bëmë marrëveshje. Unë Saliut këtu i them vetëm një gjë, të qartë dhe të prerë: Sali, nëse PD nuk do të zhbllokojë me votat e deputetëve të saj që bashkë me deputetet tanë duhet të përzgjedhin nga lista e ekspertëve anëtarët e dy komisioneve të vettingut, pra nëse PD nuk do ta zhbllokojë brenda majit vettingun, marrëveshja është e prishur.”
Dy ditë më parë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, opozita propozoi emrat e përfaqësuesve të saj në tre komisionet parlamentare ad-hoc që më pas do të përzgjedhin anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimeve (KPK), të Kolegjit të Apelimit (KA) dhe Komisionerët Publikë. Propozimet e PD-së u miratuan nga Kuvendi dhe tashmë komisioni i parë ad-hoc, brenda 10 ditëve, duhet të hartojë listën përfundimtare të kandidatëve për te institucionet e vetingut KPK, KA dhe KB.
Nëse të gjitha afatet kushtetuese respektohen, institucionet e vetingut duhet të jenë funksionale përpara zgjedhjeve të 25 qershorit.