Agjencia shtetërore turke e Lajmeve, Anadolu Agjensi ka shkruar një artikull me nota përgëzuese për vendimin e qeverisë shqiptare për mbylljen e 3 shkollave të drejtuara nga organizata FETO.
“Shqipëria të premten njoftoi mbylljen e tre shkollave të drejtuara nga organizata terroriste FETO, grupi terrorist pas grushtit të shtetit në 2016, në Turqi”, nis artikullli në Anadolu Agjensi, i botuar më 26 shtator.
Më 23 shtator qeveria vendosi mbylljen e dy institucioneve arsimore fetare medresenë “HAFIZ ABDULLAH ZËMBLAKU”, Korcë dhe Ali Korca në Kavaje. Vendimi për mbylljen e shkollave u morr vetëm një javë pas takimit të Kryeministrit Rama me Presidentin turk Erdogan, në Turqi.
Në artikull akuzohet komuniteti mysliman shqiptarë për bashkëpunim me organizatën FETO “për ngritjen dhe administrimin e disa medreseve në vend, përfshirë edhe shkollat e mbyllura nga qeveria”.
FETO dhe udhëheqësi i saj me banim në SHBA, Fetullah Gulen, organizuan grushtin e shtetit më 15 korrik 2016, ku u vranë 251 persona dhe u plagosën 2, 200 persona.
Ankaraja e ka akuzuar FETO se qendron pas një fushate për infiltrimin në institucionet turke, në veçanti në ushtri, polici dhe gjyqësor.
Presidenti Erdogan në mënyrë të vazhduar ia ka bërë të qartë Kryeministrit Rama se pret nga Shqipëria, të cilin ai e quan vend ‘mik’, të mbyllë shkollat e insitucionet e tjera të drejtuara nga FETO.
Kryeministri Rama dhe qeveria shqiptare ishte ndër të parat që u solidarizua me Presidentin Erdogan dhe Turqinë pas grushtit të shtetit në korrik 2016.
Në nëntor 2016, Ministria e Arsimit e Shqipërisë miratoi kërkesën e Ambasadës turke për ndalimin e përdorimit të emërtimeve dhe simboleve turke në institucionet arsimore jopublike në Shqipëri. Kërkesa e ambasadës kishte në shënjestër rrjetin e kolegjeve turke në Shqipëri të cilat janë nën pronësinë e organizatës FETO.
Ndërsa Kryeministri Rama ka deklaruar më parë se njerëzit në Shqipëri, të cilët dyshohen si të lidhur me FETO-n mbahen nën vëzhgim.