Rama pranon rrezikun e strehimit të muxhahedinëve në Shqipëri

Rama pranon rrezikun e strehimit të muxhahedinëve në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama pranoi sot se vendimi për të strehuar rreth 3 mijë muxhahedinë në Shqipëri, përbën rrezik për ndonjë sulm të mundshëm nga Irani.

Gjatë konferencës me gazetarët në Vjenë, Kryeministri tha se gjithsesi vendimi është marrë bashkë me qeverinë e kaluar demokrate dhe se është krenar për këtë:

“E dimë shumë mirë që duke marrë hapin në përfshirjen e operacionit humanitar [për të strehuar muxhahedinët] kemi marrë përsipër një rrisk.

Jam shumë krenar që ky rrisk është marrë përsipër në mënyrë bipartizane në funksion të detyrimeve të një aleance strategjike të pazënvedësueshme me SHBA.

Jemi krenarë që jemi të dobishëm në krah të një aleance që lufton për një botë më të mirë.”

Rama tha se në rast se Irani vendos të sulmojë Shqipërinë, ky do të ishte sulm mbi gjithë vendet e NATO-s:

“Duhet të kujtoj që jemi anëtarë të NATO dhe cdo sulm mbi vendin tonë është një sulm mbi NATO-n.”

Edhe gjenerali amerikan Michael Barbero deklaroi sot se pas vrasjes së gjeneralit të lartë Iranian Qasem Soleimani nga forcat amerikane, Shqipëria,  si vend aleat i SHBA-ve dhe vend strehuesi i muxhahedinëve – kundërshtarët kryesorë të regjimit në Iran – duhet të jetë e vëmendshme pasi mund të shikohet si vend armik dhe  shënjestër nga Irani.

Shqipëria është vendi kryesor në botë ku po strehohen anëtarët e organizatës Muxhahedinët Popullorë të Iranit (MEK)—e cila konsiderohej, deri pak vitesh, organizatë terroriste nga shumica e vendeve perëndimore.

Vendosja e tyre në Shqipëri filloi në vitin 2013, pas pranimit nga ish Kryeministri Sali Berisha të kërkesës së qeverisë amerikane për të pritur rreth 210 muxhahedinë, të cilët qeveria amerikane duhet të shpërngulte nga baza e saj ushtarake në Irak, pas tërheqjes nga ky vend.

Në vitin 2014, Kryeministri Edi Rama pranoi strehimin e qindra muxhahedinëve të tjerë, të cilët kanë mbërritur në vazhdimësi që atëherë në grupe të ndryshme.

Çfarë janë muhaxhedinët iranianë?

Organizata e Muxhahedinëve Popullore të Iranit është një lëvizje që vepron në emigrim, kryesisht në Irak, për rrëzimin e regjimit aktual në Iran. Ajo u krijua në fillim të viteve 1960-të si lëvizje proteste kundër regjimit të Shahut të Iranit.

MEK ishte ndër nxitësit dhe mbështetësit kryesorë të Revolucionit Iranian të vitit 1979, i cili rrëzoi regjimin e Shahut. Pas revolucionit, në Iran u vendos një sistem teokratik islamik nën udhëheqjen e Ajatullah Khoeminit, që hasi kundërshtinë e ashpër të MEK-ut që ishte kundër autokracisë islamike. Si pasojë, regjimi Iranian filloi persekutimin e anëtarëve të organizatës që detyroi drejtuesit e saj dhe mijëra anëtarë të emigronin.

Shumica e tyre u mirëpritën në Irak nga Sadam Huseini, i cili i ofroi organizatës një territor të pazhvilluar pranë kufirit me Iranin. MEK-u e shndërroi territorin në një qendër me infrastukturë moderne dhe ekonomi të zhvilluar që u njoh si Qyteti Ashraf.

Në Ashraf, MEK iu përkushtua përgatitjes ushtarake të anëtarëve të saj duke u shndërruar në grupin më të madh dhe më të fuqishëm militant kundër regjimit iranian, i cili zhvilloi, për më shumë se dy dekada, një veprimtari intensive terroriste për rrëzimin e qeverisë iraniane. MEK, njëkohësisht, bashkëpunoi ngushtësisht me regjimin e Sadam Huseinit, si gjatë luftës Irak-Iran edhe pas saj.

Për shkak të aktivitetit të saj, MEK ka qenë njohur zyrtarisht si organizatë terroriste nga shumë qeveri perëndimore, përfshi atë të SHBA-ve.

Gjatë operacionit ushtarak për rrëzimin e Sadam Huseinit, forcat e koalicionit bombarduan edhe Qytetin Ashraf të cilin e konsideronin bazë terroriste.

Mbas pushtimit të Irakut, forcat amerikane dhe muxhahedinët negociuan një pakt paqeje, në bazë të të cilit muxhahedinët dorëzuan armët dhe premtuan t’i ktheheshin jetesës paqësore civile. Si rezultat, rreth 3 mijë muxhahedinëve të Ashrafit iu dha statusi i civilëve të mbrojtur nën Konventën e Gjenevës dhe ushtria amerikane mori përsipër sigurinë e Qytetit të Ashrafit.

Në vitin 2009, ushtria amerikane ia kaloi kontrollin e Ashrafit qeverisë irakiane, e cila premtoi trajtimin njerëzor të tyre. Pavarësisht premtimit, forcat irakiane ndërhynë brutalisht në Ashraf me qëllim vendosjen e kontrollit të tyre policor në zonë, veprime që hasën rezistencë nga muxhahedinët. Konfliktet çuan në dhunë të armatosur që shkaktoi dhjetra viktima mes muxhahedinëve. Qeveria irakiane filloi persekutimin sistematik të tyre dhe dhunë sistematike për t’i detyruar muxhahedinët të largoheshin nga Iraku.

Këto veprime ngallën reagimin e organizatave ndërkombëtare humanitare, nën presionin e të cilave qeveria amerikane i mori në mbrojtje muxhahedinët duke i strehuar në Kampin Liberty të ushtrisë amerikanë në Baghdad.

Bashkë me tërheqjen e amerikanëve nga Iraku lindi nevoja e gjetjes së një zgjidhje të problemit të muxhahedinëve. Për këtë arsye, në vitin 2012, qeveria amerikane e hoqi organizatën nga lista e organizatave terroriste, dhe filloi të kërkonte mundësi për sistemimin e tyre në vende të ndryshme të botës.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>