Shqipëria ka siguruar akses për doza të mëtejshme të vaksinës së Pfizer kundër COVID-19, deklaroi kryeministri Rama të hënën në Kuvend, ndërsa shtoi se po zhvillohen negociata me kompani dhe shtete të tjera.
Sa i përket marrëveshjes me Pfizer që pritet të ratifikohet sot në Kuvend, Rama tha se çmimi ka qenë i panegociueshëm. Aty parashikohet gjithashtu se nëse Shqipëria kërkon të bëjë marrëveshje “për të dhuruar shitur apo shkëmbyer vaksina duhet të marrin leje nga Pfizer përndryshe transaksioni është i pamundur”, tha Rama. Kryeministri u shpreh se kemi “siguruar akses për doza të mëtejshme të vaksinës Pfizer” në të ardhmen.
Kreu i qeverisë shigjetoi sërish Bashkimin Europian i cili sipas tij “nuk pa përtej kufijve të vetvetes dhe e la fatin e vaksinimit të njerëzve në rajonin tonë në atë që u quajt mundësi për marrëveshje bilateral”.
Rama përsëriti edhe njëherë tre skenarët e parashikuar të planit të vaksinimit.
“Skenari më ambicioz është vaksinimi i të gjithë kategorive dhe moshave që janë pjesë e planit të vaksinimit brenda 12 muajve, skenari i dytë është brenda 18 muajve dheiI treti pas 24 muajve.”
Në raport me pandeminë, Shqipëria sipas Ramës mbetet histori pozitive si nga ana e përhapjes së virusit dhe fataliteteve ashtu se nga ana përballimit me kapacitetet shëndetësore.