Kryeministri Rama vlerëson lidershipin e Berishës ndërsa kreun e PD, Lulzim Basha e cilëson pa karakter.
Rama është shprehur në lidhje liderët politikë të Shqipërisë gjatë këtyre 30 viteve të fundit në një intervistë të emisionit “Opinion”.
Për presidentin Meta, ai thotë se është njeri shumë i dyzuar dhe i paqëndrueshëm.
“Iliri është dy në një. Nuk është dy njerëz të ndryshëm në dy periudha të ndryshme historike, por është dy njerëz në një në çdo moment, është njeri shumë i dyzuar. Dhe ajo që unë them duket si figurë letrare, por është fatkeqësisht e vërtetë në këtë rast. Por Iliri është njeri me hënë. Është shumë i pasigurt brenda vetes dhe kjo e bën të paqëndrueshëm, por në thelb nuk kam asnjë gjë me të.”.
Ish-kryeministrit Berisha, Rama i njohur si gjë pozitive liderishipin dhe karizmën, ndonëse shton se Berisha “është tipiku i pushtetit si qëllim, jo si mjet për të arrit qëllimin”.
“Ka qenë dhe është….tani më mirë të mos flasin se është në rënie të lirë, por karizmatik, shumë i vendosur dhe mbi të gjitha shumë i aftë për të shkuar drejt objektivit dhe për të mos u hallakatur gjatë rrugës. Pra është shumë më tepër strategjik se sa taktik, në aspektin e natyrës së lidershipit dhe kjo e ka bërë që të jetë dominant në një periudhë të gjatë në partinë e tij, por të jetë dominant edhe në këtë periudhë të historisë e madje të ketë dominancë edhe kur nuk ka patur pushtet”.
Sa për kreun aktual të opozitës, Rama u shpreh se ai nuk ka karakter lideri.
“Mund ta diskutosh gjerë e gjatë karakterin e lidershipit të Saliut, karakterin e lidershipit të Nanos. Mund të diskutosh jo aq gjerë dhe gjatë se është më e thjeshtë, por gjithsesi mund ta diskutosh karakterin e lidershipit të Ilir Metës, që gjithsesi nuk mund të krahasohet me këta dy të tjerët për nga pikëpamja e kapaciteteve të lidershipit, po ka stof politik. Luzlim Basha nuk është lider.”
Kryeministri foli gjithashtu edhe për figurën e diktatorit Enver Hoxha, për të cilin tha se është “kafsha më e madhe politike që kemi pasur”.
“Mendoj se ka qenë kafshë politike, një tërmet që përkufizon ata të cilët instinktin e triumfit dhe të unimit politik e kanë më të fortë se sa të tjerët apo instinktin e mbijetesës përmes politikës e kanë më të fortë se të tjerët, Enver Hoxha është kafsha më e madhe politike që kemi pasur. Pa dyshim“