Kryeministri Edi Rama foli për pasigurinë e prindërve për hapjen e shkollave në shtator, gjatë takimit në Spitalin Infektiv. Ai tregoi vështirësitë e tij si prind që do të dërgojë fëmijën në klasën e parë, dhe për rrezikun që paraqet kjo gjë, pavarësisht se sipas tij fëmijët janë “më pak të rrezikuar por jo të imunizuar”.
“Ne kemi çunin që do të shkojë në klasën e parë, një fëmijë i vogël me maskë, mos tako, mos u përqafo, rri larg, bëj kujdes, vendoset në një situatë që është komplet e panjohur edhe për pasojat që lë në aspektin e zakoneve që krijon”, tha Rama.
Ai tha se si prind tani duhet të këshillojë fëmijët për të kundërt e këshillave, me të cilën e ka rritur:
“Pasi të gjithë si prindër u themi fëmijëve, ‘përshëndete, takoje, përqafoje’ por duhet t’u themi të kundërtën. Por nuk e kemi zgjedhur na ka zgjedhur kjo sfidë”.
Por, ky koment i Ramës përtej efektit qetësues që ka tek njerëzit, është edhe një ndërhyrje efektive propagandistike në kushtet kur vendimi për të hapur shkollat ka ndeshur me kritika në publik.