Kryeministri Edi Rama siguroi qytetarët se në Shqipëri nuk ka asnjë të prekur me koronavirus.
Duke folur në seancën e sotme të Kuvendit, Rama këshilloi qytetarët të mos rendin për të blerë maska pasi ato nuk të mbrojnë nga koronavirusi dhe janë harxhim i kotë parash:
“Qytetarët duhet të ruhen nga infodemia me vetëdijen se të gjitha këto burime shkaktojnë ankth dhe pasiguri.
E thëna e fundit zyrtare lidhur me vdekshmërinë e personave të prekur ka rënë nga 3 për qind në 2.3 për qind, pra 2.3 për qind e të prekurve kanë humbur jetën, ndërsa 97.7% e përballon pa pasoja.
Duke folur për masat, thirrja që bën OBSH, është mos rendni për të blerë maska, mos harxhoni lekë, se nuk mbrojnë personat nga prekja. Ato janë të dobishme për mjekët, vetë të prekurit dhe ata që u shërbejnë, për të tjerët nuk kanë asnjë dobi dhe nuk mbrojnë nga asgjë.
Gjithë histeria është harxhim i kotë i lekëve.”
Rama kujtoi se qeveria ka vënë në dispozicion të ministrisë së Shëndetësisë një milion dollarë për tu pajisur me mjetet e nevojshme për mbrojtje të stafeve spitalore.
Deri tani në total numri i të prekurve ka arritur në 89 197 persona, ndërsa vdekjet kanë arritur në 3048 persona. Në Itali numri i të prekurve është rritur ndjeshëm gjatë fundjavës dhe ka arritur në 1694, ndërsa 34 persona kanë humbur jetën.
Në Ballkan janë konfirmuar të prekur në Kroaci, Greqi e Maqedoninë e Veriut, ndërsa në Shqipëri zyrtarisht nuk ka asnjë të prekur.