Kryeministri Rama ka sulmuar opozitën gjatë një takimi zgjedhor në Sarandë ku përsëriti së Lulzim Basha nuk është lideri real i PD-së dhe se presidenti Meta dhe ish-kryeministri Berisha fshihen pas tij.
Rama deklaroi se Meta qëndron pas grevës së kontrollorëve në Aeroportin e Rinasit dhe e akuzuoi gjithashtu se ai po bën fushatë në Vlorë duke takuar sipas tij subjekte të OFL-së dhe duke premtuar lirime nga burgu.
Kryeministri hodhi gjithshtu akuza drejt opozitës për grabitje pronash në qarkun e Vlorës.
“Ka një lidhje shumë të fortë me këtë qark ai personazh, ka letrat e pronave të grabitura me shantazhe, lidhje të shkurtra, me pushtetin e Saliut.”, tha Rama.
Sipas Ramës, ish-kryeministri Berisha dhe presidenti Meta kërkojnë destabilizimin e vendit dhe krijimin e pasigurisë.
Nga Saranda, Rama premtoi së shpejti nisjen e punës për kontratën e aeroportit të Sarandës dhe theksoi se brenda mandatit të tretë “do të bëhemi me 4 aeroporte dhe së bashku me portet e reja turistike që nga Saranda, Vlora, Durrësi dhe më pas ai i Shëngjinit do të kemi një hartë tjetër të Shqipërisë.”