“Përvoja e shkëlqyer e funksionimit të disa task-forcave, si ajo për kanabisin, mbrojtjen e territoreve janë shëmbulli i duhur [për task-forcën “Forca e Ligjit”].”
Kështu deklaroi sot Kryeministri Rama gjatë një konference shkencore për sigurinë që po zhvillohet në Tiranë.
Duke folur për “policinë më të re” të krijuar prej tij për të luftuar krimin e organizuar, Kryeministri Rama solli si shembull suksesi “task-forcën kundër kanabisit” dhe premtoi se “forca e ligjit” do të ndjekë të njëjtat hapa suksesi.
Duket se Kryeministri Rama, që nuk e ka pranuar në asnjë moment kanabizimin e vendit, edhe pse Ministri i Brendshëm Xhafaj e ka pohuar, zotohet se do të vazhdojë të bëjë të njëjtën “luftë” si ndaj narko-trafikantëve dhe bandave të krimit.
“Vijimi i goditjeve ndaj grupeve kriminale vijon të jetë prioritet i policisë. Më e rëndësishme është shënjestrimi i aseteve me origjinë kriminale, duke i zhveshur këto rrjete dhe këta elementë nga mundësia e rikthimit dhe duke bërë të mundur një mesazh shumë të qartë që kush përfiton nga krimi, nuk i gëzon ato që përfiton”, vazhdoi më tej Zoti Rama.
Kryeministri Rama njoftoi po ashtu se në muajin janar do të nisë “vettingu” në radhët e policisë:
“Procesi i pastrimit të policisë së shtetit dhe ai i sistemit gjyqësor për pastrimin nga të paaftët do të vijojë. Në radhë të parë me Policinë e Shtetit dhe më pas në institucionet e tjera ligjzbatuese. Vetting do të nis të zbatohet që nga muaji janar dhe do të japë rezultate të qenësishme. Ashtu siç kam besim që brezat që do të dalin do të jenë një burim i jashtëzakonshëm transformimi dhe transfuzioni të gjakut të Policisë së Shtetit.”
Po të kemi parasysh se deri më sot, tonelata me kanabis, kokainë e heroinë nga Shqipëria kapen çdo ditë në brigjet italiane nga Guardia di Finanza, por jo në brigjet shqiptare nga policia e task-forca kundër kanabisit, ecja nën të njëjtin shembull, pritet ta çojë “forcën e ligjit” dhe luftën kundër krimit të organizuar në dështim.