Kryeministri Edi Rama do të takojë sot kryeministrin grek Kyriakos Mitzotakis.
Lajmin e bëri të ditur vetë Rama përmes një postimi në Twitter ku shkruan se tema e diskutimit do jetë lufta ndaj Covid-19, bashkëpunimi mes dy vendeve dhe integrimi europian i Shqipërisë.
“Në Athinë për një drekë pune me Kryeministrin Mitzotakis,për të diskutuar mbi koordinimin e mëtejshëm në luftën e përbashkët kundër Covid19;forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve;bashkëpunimin rajonal dhe integrimin europian të rajonit tonë🇦🇱🤝🇬🇷 “
Të enjten, gazetarja greke Alexandra Voudori ka njoftuar se Rama do të takohet me kryeministrin grek Mitsotakis dhe ministrin e Jashtëm Dendias.
Pritet që një prej çështjeve kryesore të bisedimeve të jetë marrëveshja për detin.
Pak ditë më parë, Rama pati dhe një bisedë telefonike me ministrin Dendias, por nuk u njoftua se për çfarë biseduan dy liderët.
Vizita e Ramës në Greqi vjen menjëherë pas asaj në Turqi, ku firmosi, ndër të tjera, me presidentin Erdogan dhe marrëveshjen për ngritjen e Këshillit për Bashkëpunim të Nivelit të Lartë mes Shqipërisë e Turqisë.