Rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR duhet të shërbejnë për të përmirësuar më tej ligjet për zgjedhjet. Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri në një reagim për raportin, thekson se partitë duhet të kthejnë në ligje rekomandimet dhe t’i miratojnë ato “shumë përpara zgjedhjeve të ardhshme”.
BE nënvizon çështjet që ngre raporti i ODIHR, si keqpërdorimi i burimeve shtetërore nga partia në pushtet, shit-blerjen e votës dhe rrjedhjen e të dhënave personale. Institucionet përgjegjëse inkurajohen të hetojnë plotësisht mbi këto çështje.
Në reagimin e saj, zyra e BE sjell gjithshtu në vëmendje vlerësimin pozitiv që raporti i OSBE/ODIHR pati për KQZ-në në administrimin e zgjedhjeve të 25 prillit.
Mazhoranca, përmes sekretarit të përgjithshëm Balla interpretoi raportin e ODIHR si më të mirin për zgjedhjet në Shqipëri gjatë 30 viteve të fundit.
Nga ana tjetër, kreu i PD, Lulzim Basha deklaroi se gjetjet e raportit konfirmonin ‘masakrën zgjedhore’ – termi që ai ka përdorur për të denoncuar pretendimet e opozitës se zgjedhjet u manipuluan.