Re me Vodafon

Re me Vodafon

Prej disa ditësh, vepra “Reja” e arkitektit të famshëm të rrymës të arkitekturës metaboliste japonezi Sou Fujimoto, e vendosur në lulishten përpara Galerisë së Arteve, është kthyer në një reklamë për shërbimin “Cloud” të kompanisë celulare Vodafon. Pasi, kompania e telefonisë Telekom e ktheu sheshin “Nënë Tereza” në një hapësirë gjigande reklamuese, edhe një hapësirë tjetër me qëllimin fillestar për debate publike dhe shfaqje është kthyer në një zonë, e cila jepet me qera për kompanitë e biznesit.

Fillimisht, vepra “Reja” e Fujimotos, e cila u porosit në vitin 2013 për Galerinë Serpentine në Londër nga kuratori Hans Ulrich Obrist, u transferua, pranverën e shkuar, si një instalacion i “përkohëshëm” në lulishten përpara Galerisë së Arteve në Tiranë.

Duke qënë se vepra ishte projektuar në përputhje me veçantitë e vendit ku u ekspozua— mjedisin plot gjelbërim e pemë të parkut Kensington Gardens— zhvendosja e saj në mjedisin urban të qendrës së Tiranës nuk kaloi pa ngjallur debat. Veçanërisht për shkak se ajo bllokon tërësisht ballinën monumentale të Galerisë Kombëtare të Arteve, dhe sepse bazamenti prej betoni i veprës i ndërtuar në mes të lulishtes para Galerisë – praktikisht shkatërroi një nga të paktat hapësira të gjelbra në qendër.

Instalimi i ri i veprës “Reja” u financua kryesisht nga Fondacioni Luma i koleksionistes së artit Maja Hoffmann, e cila është edhe anëtare bordi e Qendrës për Dialog dhe Hapje të Kryeministrit Edi Rama.

“Reja” u përurua më 28 maj 2016, në prani të Kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, artistit dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të Edi Ramës Anri Sala, Hoffmann, Obrist dhe Fujimoto. Në fjalën e hapjes, Zoti Veliaj theksoi së projekti, i cili do të shërbente “si ambient takimesh apo aktivitetesh të ndryshme kulturore dhe sociale”, nuk kishte asnjë kosto për qytetarët “asnjë qindarkë” të vetme dhe se projekti ishte tërësisht “falas”.

E pyetur për sponsorizimin e Vodafonit, Edit Pula, ish-studente e Kryeministrit Edi Rama dhe Këshilltarja e Kulturës pranë Kryebashkiakut Erion Veliaj, e cila është përgjegjës për programet që zhvillohen në “Reja” u përgjigj se “çdo museum dhe çdo pavion në Serpentinë ka shfaqje të kompanive,” dhe kontrata me kompaninë Vodafon nuk e dëmton “Renë”.

Megjithatë, mbetet e paqartë se si instalacioni, të cilin Fujimoto e krijoi si “diçka e cila shkrihet në gjelbërim,” mund të gërshetohet me rrëmujën vizuale të shkaktuar brenda dhe përrreth saj nga bizneset sponsorizues, tani që mesa duket paraja “falas” mbaroi. Në mos për ndonjë gjë tjetër, reklamat e Vodafonit janë një atentat i rëndë ndaj qëllimit krijues të autorit.

reja

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>