
Organizata ndërkombëtare për lirinë e medias – Reporterët Pa Kufij (RSF) – ka dënuar sjelljen e policisë ndaj gazetarit Ergys Gjencaj të martën dhe kërkon hetimin e saj.
RSF e quan sjelljen e policisë ‘pa respekt për lirinë e medias’.
Gazetari i News 24, Ergys Gjençaj u ndalua nga policia gjatë ushtrimit të detyrës. Ndalimi rreth një orë i Gjençaj erdhi pasi Forcat Speciale, veshur civil, po kërkonin të arrestonin një person, që ndodhej brenda automjetit të tij.
Pasi ky i fundit u arratis, duke çarë rrethimin e policisë, policët sulmuan gazetarin që po filmonte ngjarjen, pavarësisht se ai u identifikua si gazetar.
Ai u detyrua të shtrihet barkas me duart pas koke dhe më pas u mbajt i rethuar nga policët për rreth një orë.
Shoqata e Gazetarëve Europianë ka reaguar gjithashtu për incidentin duke theksuar se ai është tregues i një qasjeje agresive të policisë ndaj gazetarëve dhe vështirësive me të cilat përballen ata gjatë punës.
Hetim për ngjarjen ka kërkuar edhe Unioni i Gazetarëve në Shqipëri.
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Policinë e Shtetit ka nisur ndërkohë një hetim për ngjarjen.