Rikthimi i shërbyesve të regjimit komunist

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Rikthimi i shërbyesve të regjimit komunist

Nëse drejtori i Sigurimit të frikshëm të Shtetit në Rumani do të drejtonte Parlamentin, ose prokurorët politikë nga regjimi i Frankos do të drejtonin operacione të mëdha kundër politikanëve katalanas, do të kishte një protestë masive në Bashkimin Evropian. Si mundet që ata që bashkëpunuan me diktaturat më të errëta në Evropë mund të mbajnë ndonjë post shtetëror? Ata që mundësuan regjimet më brutale të shekullit XX duhet të paktën të qëndrojnë larg sferës politike, nëse nuk burgosen. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një gjë normale.

Nën sytë e përfaqësuesve të mirë-ushqyer dhe të mirëmbajtur të BE-së në Tiranë, qeveria e dytë e Ramës ka rehabilituar hapur figurat që shërbyen në kohën e diktaturës, ndërsa u përpoq të bllokojë kërkime për krimet e saj. Në të njëjtën kohë, një nga ekspertët kryesorë dhe personalitetet publike që adresojnë krimet e këtij regjimit, Agron Tufa, është detyruar të largohet në Zvicër, pasi ka marrë kërcënime të shumta.

Shembulli më i egër është natyrisht Gramoz Ruçi, i cili pasoi Ilir Metën si Kryetar i Parlamentit dhe luajti një rol kryesor në zbatimin jo të duhur të reformës në drejtësi si dhe nxitimin për miratimin e propozimeve legjislative që ndryshe nuk do të ishin miratuar.

Gramoz Ruçi ka shërbyer si ish sekretari i parë i Partisë së Punës së Shqipërisë (PPSh) në Tepelenë dhe më vonë si Ministër i Punëve të Brendshme në 1990, pak para rënies së regjimit komunist. Si i tillë, ai ishte politikisht, nëse jo personalisht, përgjegjës për “Masakrën e 2 Prillit” në Shkodër, kur katër persona u qëlluan nga regjimi pasi protestuesit pushtuan selinë lokale të PPSh. Ai gjithashtu mendohet se është përgjegjës për shkatërrimin e shumë materialeve arkivore të Sigurimit, policisë së shërbimeve sekrete në Shqipëri. Mungesa e shumë prej dosjeve e bën punën e Autoritetit për Informim në lidhje me Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit (AIDSSh), i cili supozohet të kryejë kontrolle të së kaluarës, praktikisht të pamundur.

Kjo u bë e qartë, për shembull, kur AIDSSh paraqiti prova për anëtarin i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) Bujar Sheshi, i cili kishte qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit (Sigurimi). Kjo duhej ta kishte skualifikuar atë nga posti në KLP. Në vend të kësaj, Sheshi iu drejtua Gjykatës Administrative (e cila ende nuk i është nënshtruar procesit të vetingut), dhe pastroi procesverbalin e tij.

Një shembull tjetër është Arben Kraja, i cili kohët e fundit u zgjodh kryetar i parë i Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK). Me kërkesën e KLP, AIDSSh kontrolloi dosjet (e mbetura) mbi Krajën dhe zbuloi se kishte qenë hetues gjatë diktaturës komuniste në 1990. Në një letër të 3 prill 2019, AIDSSh shprehet:

Nga verifikimet e deritanishme[e përmbledhur] tregojnë se shtetasi Arben Isa Kraja ka qënë me detyrë hetues në Hetuesinë e Rrethit Shkodër në vitin 1990, pra para 2 korrikut 1991, që është fushveprimi i ligjit mbi bazën e të cilit vepron Autoriteti. Përmbajtja e dokumentacionit në arkivat tona tregon se Arben Kraja ka hetuar një çështje penale në lidhje me dy persona të akuzuar për kalim të paligjshëm të kufirit.

Është e paqartë nëse AIDSSh në fakt ka përfunduar hetimin e saj, pasi vazhdimisht operon nën presionin e kohës dhe me fonde të pakta nga qeveria Rama. Në raportin e tij, Autoriteti, argumenton se për shkak se krimi specifik që Kraja ka hetuar nuk është nën krimet që do ta skualifikonin atë nga mbajtja e detyrës, ai mund të jetë kryetar i SPAK. Megjithatë, në të njëjtën kohë duhet theksuar se bie në sy, fakti se nga karriera e hershme në sistemin gjyqësor e Krajës nën diktaturë ka mbetur vetëm një dosje e vogël. A kaloi ai pjesën më të madhe të vitit 1990 duke tundur zinxhirin? Me shumë mundësi jo, por nuk ka asnjë provë në dosjen e tij për të vërtetuar të kundërtën.Edhe nëse sipas ligjit për hapjen e dosjeve Kraja nuk mund të ndalohet nga detyra, bazuar në një hetim të vetëm për një kalim të paligjshëm të kufirit (të personave që ishin të varfëruar, shtypur dhe persekutuar), thjesht dua të pyes nëse është e dëshirueshme për një vend që ende po përpiqet të pajtohet me të kaluarën e tij, të emërojë dikë në një nga funksionet më të rëndësishme në gjyqësor i cili shkroi rreshtin e mëposhtëm në një dosje :

Arrestimi i sipërpërmendur ka ndodhur për shkak se: në datën 26 korrik 1990 në bashkëpunim me persona të tjerë ata shkuan në qytetin e Tiranës, ku kanë kryer veprime që shkelin normat dhe moralin komunist.

Çfarë shenje është kjo? Një shenjë drejtësie? Detaj interesant: Kraja punoi në të njëjtin qark si një tjetër i mbetur nga sistemit i drejtësisë së diktaturës, Ardian Dvorani, i cili ishte prokuror në Shkodër. Dvorani aktualisht është gjyqtari i vetëm i mbetur në Gjykatën e Lartë, ka vite që ka mbaruar mandatin e tij, dhe do të bëhet për të dytin vit radhazi kryetari i paracaktuar i Këshillit të Emërimeve të Drejtësisë. Pse duhet të befasohemi?

Në fund, duhet të përmendim edhe Skënder Gjinushin, i cili, pa asnjë kualifikim shkencor të çfarëdo lloji dhe duke shkelur ligjin në fuqi, u zgjodh  kryetar i Akademisë së Shkencave. Ai ishte, sidoqoftë, Ministër i Arsimit në diktaturën komuniste dhe bashkëpërgjegjës për terrorin që i dha popullit shqiptar.

Kryeministri Edi Rama – djali i skulptorit të preferuar të diktatorit Enver Hoxha – ka konsoliduar fuqinë e tij në qeveri, parlament, në të gjithë, përveç një bashkie dhe mbikëqyr zbatimin “e duhur” të reformës në drejtësi. Kohët e fundit ai miratoi një ligj drakonian “anti shpifje” në kundërshtim me bashkësinë ndërkombëtare, me qëllim kontrollimin e mediave në internet. Ai ka propozuar legjislacion të ri “antimafia” që do të ndërhyjë drejtpërdrejt në të drejtat kushtetuese dhe themelore të qytetarëve. Ai ka sulmuar, ngacmuar dhe denigruar agresivisht çdo gazetar apo qytetar që kritikon qeverisjen e tij.

Të gjitha këto veprime sinjalizojnë shkelje të të drejtave të njeriut dhe lirive personale, dhe së bashku me rikthimin e ish-shërbyesve të diktaturës në shumë prej pozicioneve kyçe në qeveri, nuk është shumë e vështirë të parashikohet se ku po shkojmë. BE e ka bllokuar Shqipërinë dhe “miqtë” e vetëm të Ramës duket se janë autokratët si Rexhep Tajip Erdogan dhe Aleksandar Vuçiç. Ne e dimë se ku po shkojmë, sepse kemi qenë atje më parë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>