Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur sot shembjen e banesave në zonën e Astirit, të cilat preken nga projekti i dyshimtë i Unazës së Madhe.
Një numër i madh policësh kanë rrethuar zonën me qëllim pengimin e banorëve për të bërë rezistencë kundër prishjes së banesava të tyre.
Një prej banorëve u shpreh se nuk ka më fuqi për të kundërshtuar policinë, pasi herët e fundit policia i dhunoi fizikisht dhe hodhi gaz lotsjellës për t’i shpërndarë:
“Po bëhet rrugë thjesht për të vjedhur 20 milion euro. Kemi protestuar çdo ditë por jemi të ndarë pasi ndaj nesh është hedhur gaz lotsjellës.”
Sipas gazetarëve të Ora News në terren, policia nuk ka lejuar praninë e gazetarëve dhe kamerave.
Deri më tani rreth 40 ndërtesa janë prishur për t’i hapur rrugë Unazës së Madhe. Siç Exit News ka analizuar projekti parashikon shembjen edhe të rreth 200 ndërtesave të tjera.
IKMT shpeshherë ka përdorur eksploziv për të shembur ndërtesat dhe pamjet spektakolare të shpërthimit, të regjistruara me dronë, IKMT i ka shpërndarë në rrjetet sociale, si një mënyrë për të treguar shtypjen e protestës më shumë se dy vjeçare të banorëve të Astirit.
Projekti për Sheshin Shqiponja u ndryshua dhe tenderua disa herë pasi në tenderin e parë, kompania fituese DH Albania kishte falsifikuar dokumentet.