Lëvizja Socialiste për Integrim ka dalë me 15 vota më shumë nga rinumërimi i 114 kutive në qarkun e Beratit ndërsa PS dhe PD-AN kanë dalë me më pak vota.
Në pasqyrimin e rezultatit të bërë nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve, u tha se:
- LSI ka shtuar rezultatin me 15 vota
- Partia Aleanca Demokracia e Re ka shtuar rezultatin me 11 vota
- Partia Socialiste ka zvogëluar rezultatin me 20 vota
- Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim ka zvogëluar rezultatin me 9 vota
Sipas këtij rezultati, diferenca mes PS dhe LSI është zvogëluar nga 77 në 42 vota. Kjo nuk mjafton që LSI të fitojë një mandat në qarkun e Beratit.
Përfaqësuesi i LSI-së në KAS tha se rezultati i rinumërimit në Berat tregon se ka patur manipulim të procesit zgjedhor. Ai kërkoi që KAS të vendosë rinumërimin e votave në gjithë qarkun.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i PS në KAS vuri në dukje se votat që u shtuan dhe që u zbritën gjatë rinumërimit kishin të bënin me mënyrën dhe standardin e vlefshmërisë së votës.
Pra 15 votat që iu shtuan LSI-së ishin shpallur më parë të pavlefshme ndësa votat që iu zbritën PS dhe PD-AN ishin shpallur të vlefshme në numërimin i parë në KZAZ.