Në fund të dhjetorit, Komisioni i Ligjeve vendosi papritur rihapjen e procesit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Megjithëse të tre kandidaturat e paraqitura plotësonin kriteret ligjore dhe procedura ishte zhvilluar sipas ligjit, gara u anullua në mënyrë të pashpjegueshme. Anullimi u miratua vetëm me votat e deputetëve të Partisë Socialiste dhe hasi në kundërshtimin e PD dhe LSI.
Ky veprim i shumicës socialiste ngriti dyshime për objektivitetin e përzgjedhjes së avokatit të ri të popullit. Këto dyshime shtohen nga fakti se Avokati i Popullit është një ndër institucionet që përfshihet në administrimin e sistemit të drejtësisë, sanksionuar në reformën në drejtësi.
Sipas Kushtetuese së ndryshuar, Avokati i Popullit merr pjesë në procedurat e zgjedhjes së anëtarëve të institucioneve të vetingut, si dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Komisionit Ad Hoc, Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) dhe Këshillit të përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi.
Më poshtë shpjegohet shkurtimisht roli i Avokatit të Popullit në funksionimin e këtyre institucioneve.
Këshilli i Lartë i Gjyqësorit
KLGJ përbëhet nga 11 anëtarë: 6 anëtarë janë gjyqtarë dhe zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare; 5 anëtarë janë nga jashtë sistemit (2 anëtarë zgjidhen nga trupa e avokatëve; 2 anëtarë nga trupa e pedagogëve të drejtësisë; 1 anëtar zgjidhet nga radhët e shoqërisë civile) dhe zgjidhen nga Kuvendi.
Avokati i Popullit merr pjesë në procedurat e vlerësimit të dosjeve të dy anëtarëve nga trupa e avokatëve dhe anëtarit nga shoqëria civile. Kandidaturat për këto vende i dërgojnë dosjet e aplikimit pranë Avokatit të Popullit, i cili verifikon plotësimin e dosjes sipas kritereve të caktuara në ligj dhe bën një listë me të gjitha kandidaturat, të cilën ja përcjell Kuvendit.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë
Këshilli i Lartë i Prokurorisë është institucioni homolog i Këshillit të Lartë të Gjyqësorit. Avokati i popullit kryen funksione identike në procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të KLP-së me ato të KLGJ-së.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi bën verifikimin, vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe për lnspektor të Lartë të Drejtësisë.
- KED përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët shërbejnë për një mandat një vjeçar, nga 1 janari deri më 31 dhjetor të vitit përkatës.
- Zgjedhja e anëtarëve të KED për çdo vit bëhet nga Presidenti me short mes gjithë gjyqtarëve të trupave të mësipërme. Avokati i Popullit monitoron, harton dhe përpilon një raport mbi procedurën e shortit.
Institucionet e vetingut
Procesi i rivlerësimit do të realizohet nga tre institucione të posaçme: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Komisionerët Publikë, dhe Kolegji i Apelimit. Ata do të ndihmohen nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), sikurse shpjegohet këtu. Përpilimi i listës së anëtarëve të këtyre institucioneve bëhet si më poshtë:
- Presidenti harton një listë me kandidatët që i plotësojnë kushtet dhe një listë me kandidatët të cilët nuk i plotësojnë ato. Ky proces monitorohet nga ONM.
- Në rast se Presidenti për 45 ditë nuk dorëzon pranë ONM-së listat e kandidatëve, atëherë kjo kompetencë i kalon Avokatit të Popullit.
- Rekomandimet e ONM-së i përcillen Kuvendit nga Presidenti. Nëse Presidenti nuk i përcjell ato brenda 5 ditëve, kjo kompetence i kalon Avokatit të Popullit.