Më shumë se 4 milionë dollarë do t’i kushtojë buxhetit të shtetit mbikëqyrja e punimeve të Rrugës së Arbrit, që sapo ka nisur të ndërtohet.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur ditët e fundit tenderin për mbikëyqrjen e pavarur të punimeve dhe ka vënë një fond limit prej 446 milionë lekësh (rreth 4 milionë dollar). Punimet në Rrugën e Arbrit ndërkohë kanë nisur në qershor.
Kjo rrugë do të ndërtohet nga kompania Gjoka shpk. Kostoja totale e projektit, pa përfshirë mbikëqyrjen e punimeve, sipas kompanisë shkon në 250 milionë euro, nga të cilat 190 milionë euro do të investohen nga kompania dhe 60 milionë euro nga shteti. Gjatësia e rrugës që do të ndërtohet do të jetë 73.5 kilometra dhe sipas projektit të fizibilitetit, gjatë saj duhet të ndërtohen disa tunele, ku më i gjati do të jetë Tuneli i Murrizit, dhe të paktën katër ura.
Kompania Gjoka shpk do të kujdeset për mirëmbajtjen e rrugës dhe tuneleve për 10 vjet dhe në këmbin, ka të drejtë të vendosin një tarifë prej 4 eurosh për çdo kalim të automjeteve në autostradë.
Ndërtimi i Rrugës së Arbrit është projekti i parë në skemën e Projektit “1 miliardë dollarë” dhe si i tillë do të financohet përmes skemës së partneritetit publik-privat, që siç kemi shpjeguar më parë, janë skema të kushtueshme financiarisht dhe të papërshtatshme për vende si Shqipëria, ku ka një mungesë të theksuar të transparencës dhe nivel të lartë të korrupsionit.