Rritja e çmimit të ujit, qytetarët paguajnë koston e dështimit të Kryebashkiakut Veliaj

Rritja e çmimit të ujit, qytetarët paguajnë koston e dështimit të Kryebashkiakut Veliaj

Erion Veliaj, Kryebashkiaku i Tiranës ka vendosur të dyfishojë çmimin e ujit të pijshëm për familjet dhe bizneset e Tiranës. Ështe një vendim që do të prekë qindra mijëra familje dhe do të ketë ndikim në koston e jetesës së familjeve të varfëra.

Në projekt-vendimin e paraqitur nga Bashkia pranë Këshillit Bashkiak thuhet se vendimi për rritjen e çmimit të ujit bazohet në strategjinë 5–vjeçare të hartuar nga kompania Ujësjellës Kanalizime e Tiranës (UKT) dhe nga një raport i vetë Bashkisë i bazuar në të dhënat e INSTAT për statistikat e rritjes së numrit të popullsisë në Tiranë. Asnjë nga keto dokumente nuk është publik.

Vetë Kryebashkiaku Erion Veliaj dha një tjetër version dje në mëngjes në News24, ku u shpreh se dyfishimi i çmimit bëhet sepse UKT është zhytur në borxhe, siatuatë për të cilën fajësoi paraardhësin:

“Kur pati deficit financiar Berisha i tha Bankës së Shqipërisë bli hotel Dajtin, ndërsa Bashkisë së Lulzim Bashës i tha bli Lana Bregasin. Që të mbushte deficitin, Basha e la peng ujësjellësin në një bankë të nivelit të dytë. Ne na duhet të marrim një kredi në rastin e një reforme që do sillte ujë 24 orë. Duhen 220 milion euro, e pamundur të të financojë njeri kur nuk ke të ardhura.”

Ne nuk patëm mundësi të verifikonim situatën e kredive të UKT-së, por kjo deklaratë e Veliajt bie tërësisht ndesh me qendrimin e tij një viti më parë, kur ai u mburr publikisht me gjendjen e suksesshme të UKT-së. Në gusht të vitit 2016, Veliaj shpalli se UKT do të privatizohet, dhe për të kishte oferta nga disa kompani serioze, dhe me njërën prej tyre, një kompani kineze të paidentifikuar prej tij, ishin bërë hapa konkretë.

Sipas tij, ky interes ishte “një kompliment për punën e UKT-së, …. që po kuotohet në treg falë perfomancës në rritje edhe arkëtimeve nga qytetarët”.

Deklarimin e Veliajt ne e quajtëm që në fillim manovër për shpërqëndrimin e publikut, pasi ato ditë Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi një raport të ashpër për UKT-në duke akuzuar për keqmenaxhim dhe abuzime financiare. Sikurse ne parashikuam, që nga ajo kohë as Veliaj dhe askush tjetër nga Bashkia Tiranë nuk është shprehur më për interesin e madh të “kompanive serioze” botërore, as për kompaninë kineze që ishte në diskutime të përparuara me UKT-në dhe as për privatizimin në përgjithësi.

Një tjetër nismë e reklamuar shumë nga Bashkia Tiranë në lidhje me UKT-në ka qenë edhe bashkëpunimi me ujësjellësin e Pulias. Në nëntor 2015 Kryebashkiaku Veliaj firmosi me bujë dhe reklamoi me të madhe një memorandum Mirëkuptimi me Presidentin e Rajonit të Pulias Michele Emiliano. Ky memorandum parashikonte ekspertizën dhe investimet e ujësjellësit të Pulias në UKT-në e Tiranës. Veliaj deklaroi atëherë se:

“Do të auditojmë ndërmarrjen për të kuptuar në nivelin teknik dhe financiar se çfarë nuk shkon me këtë kompani dhe ku duhet të fillojnë investimet e reja. Më pas, do të kalojmë në një fazë investimesh, ku bashkë me ujësjellësin e Pulias do të sigurohemi që çdo qindarkë që investohet të ketë një dobi konkrete.”

Kanë kaluar gati dy vjet, por përveçse fotografive dhe deklaratave të firmosjes, nuk ka patur asnjë informacion për zbatimin e këtij memorandumi. Nuk dihet nëse u bë ndonjëhere auditimi i UKT-së nga puliezët, a u afrua ndonjëherë ekspertizë prej tyre, a u bë ndonjë investim prej tyre.

Dje në mbrëmje, Erion Veliaj hodhi në publik një tjetër justifikim për arsyen pse po tenton të dyfishojë çmimin e ujit të pijshëm. Në programin Tonight në Ora News ai u shpreh se dyfishimi i tarifës së ujit është i nevojshëm për të bërë investime në zonën e Astirit në komunën e Kasharit ku nuk ka fare rrjet ujësjellësi.

“Për situatën e ujit….Për herë të parë Bashkia e Tiranës ka marrë përsipër menaxhimin e ujit kur kryetar ishte Lulzim Basha, por kur ishte vetëm Tirana, por sot Bashkia ka marrë edhe zona si Kashari. Një pjesë që nuk ka qenë fare në Tiranë janë ujësjellës kanalizime të fshatrave. Gjatë kohës që PD menaxhoi komunën Karash dha vetëm leje dhe pa vendosur fare rrjetin e ujit.”

Është një justifikim skandaloz. Të tentosh të ndërtosh ujësjellës-kanalizime me të ardhurat e nxjerra nga rritja e çmimit të ujit është absurd nga pikëpamja shoqërore, ekonomike dhe politike. Këto janë investime infrastrukturore të cilat gjithmonë mbulohen nga fondet e investimeve të dhënë nga qeveria, prandaj Bashkia Tiranë duhet të shpjegojë pse nuk e ka përfshirë ujësjellësin e Kasharit në projektet e investimeve publike që financohen nga qeveria.

Kryebashkiaku Veliaj duhet të shpjegojë se mbi çfarë prioritetesh dhe logjike ai kërkoi dhe mori mbi 13 milionë euro nga qeveria për të rindërtuar Sheshin Skënderbej që nuk ka ndikim fare në jetën e qytetarëve dhe nuk ka kërkuar për furnizimin jetik me ujë të qytetarëve. Ai duhet të shpjegojë se përse ka kërkuar dhe ka marrë angazhimin financiar të qeverisë për 130 milionë euro për të ndërtuar një djegës plehrash të panevojshëm, i cili mund të ndërtohet edhe nga privatët dhe nuk ka kërkuar për infrastrukturën e furnizimit me ujë të qytetarëve.

Çdo lloj shpjegim i arsyeshëm i vendimit të Bashkisë Tiranë duket i vështirë edhe për faktin se në faqen e Bashkisë Tiranë dhe të UKT Tiranë nuk gjen asnjë informacion mbi dokumentat, marrëveshjet, strategjitë e UKT-së. I gjithë informacioni mbi menaxhimin e kompanisë aty është i vjetëruar dhe jo transparent. Një strategjia e botuar në faqen e kompanisë është e vitit 2011 dhe nuk i përgjigjet në asnjë aspekt realitetit të sotëm.

Shpjegimi më i besueshëm i veprimit të Bashkisë është kriza në menaxhim që ka sjellë krizë financiare të UKT-së, daljen prej së cilës Bashkia ka vendousr t’ja u faturojë qytetarëve përmes dyfishimit të çmimit të ujit të pijshëm të ofruar nga UKT.

Ky vendim nuk është mbështetur në asnjë analizë të bërë publike, as një strategji, as një projekt. Është vendim krejtësisht arbitrar dhe si gjithmonë fjala e Kryebashkiakut para kamerave është e vërteta institucionale dhe ligji.

Por në ndryshim nga deklarimet e tjera, kjo e dyfishimit të ujit të pijshëm prek direkt koston e jetesës së qytetarëve, ndaj është e vështirë që Kryebashiaku Veliaj ta dyfishojë çmimin e ujit vetëm me një fjalë goje.

Është momenti që ai të bëjë transparencë të plotë mbi gjendjen e UKT-së, aktivitetin e kompanisë dhe mbi të gjitha mbi menaxhimin e saj.

Së pari, Zoti Veliaj do duhet:

  • Të botojë dhe bëjë publik bilancin e UKT-së për vitet 2015 dhe 2016 siç e kërkon ligji, çfarë do të hedhë dritë mbi menaxhimin financiar të kompanisë, përfshi detyrimet kreditore dhe debitore.
  • Të botojë raportin vjetor të kompanisë për vitet 2015 dhe 2016, siç e kërkon ligji, çfarë do të hedhë dritë mbi menaxhimin e përgjithshëm të kompansië, përfshi menaxhimin e burimeve njerëzore.
  • Të raportojë se çfarë masash ka marrë UKT dhe Bashkia për trajtimin e vërejtjeve dhe problemeve të ngritura nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit i vitit 2016 për menaxhimin financiar të kompanisë.
  • Të botojë buxhetin vjetor të realizuar të Bashkisë Tiranë për vitin 2015 dhe 2016, për të kuptuar prioritetet e investimeve të Bashkisë Tiranë.

Mbi të gjitha, Kryebashkiaku Veliaj duhet të argumentojë para publikut si ka arritur në përfundimin se dyfishimi i çmimit të ujit është zgjidhja më e mirë për problemet e UKT-së.

Për këtë ai duhet të bëjë publike analizën apo studimin që ka rekomanduar rritjen e çmimit si politikën më të mirë publike dhe të shpjegojë përse masat e tjera si ulja e kostos, përmirësimet teknologjike, huamarrja në tregun privat apo investimi nga qeveria nuk janë alternativa të bëshme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>