Rrjeti Kombëtar i të Rinjve i kërkon SHBA-së dhe BE-së të deklarohen për studentët

Nga Alice Elizabeth Taylor
Rrjeti Kombëtar i të Rinjve i kërkon SHBA-së dhe BE-së të deklarohen për studentët

Në ditën e dhjetë të protestës së studentëve heshtja e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri është bërë tashmë shurdhuese. Deri më sot asnjëra prej përfaqësive nuk ka bërë asnjë koment, apo të kenë pranuar ekzistencën e mijëra studentëve protestues në rrugët e qytetit të Tiranës.

Përmes një deklarate për shtyp, Rrjeti Kombëtar i Rinjve në Shqipëri i ka bërë një thirrje publike këtyre përfaqësive për të shprehur mbështetje ndaj kërkesave të studentëve për kushte më të mira dhe buxhet më të lartë të arsimit në Shqipëri.

Ndër të tjera, Rrjeti shprehet në deklaratë se:

“Ne nxisim publikisht SHBA-të dhe BE-në për t’u shprehur publikisht në mbështetje të kërkesave të studentëve, si dhe për të përdorur kanalet e tyre të komunikimit dhe ndikimin pozitiv që ushtrojnë në Shqipëri, për të shtyrë Qeverinë shqiptare të ndërmarrë masa urgjente në përgjigje të kërkesave të studentëve. Gjatë nëntë ditëve të fundit studentët e universiteteve publike në të gjithë vendin janë duke protestuar, duke kërkuar arsim cilësor, kushte më të mira jetese në konvikte, dhe mekanizma për të luftuar korrupsionin në arsimin e lartë publik në Shqipëri. Ndërkohë Qeveria, nga ana e saj, edhe pse ka shprehur mbështetje ndaj studentëve, ende nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim për të zgjidhur çështjet më urgjente të ngritura nga studentët në peticionin e tyre me tetë pika.

Të rinjtë përbëjnë 25% të popullsisë në Shqipëri. Më tepër se 26% e tyre janë të papunë. Rrjedhimisht, niveli kaq i lartë i papunësisë i ka bërë të rinjtë të preken nga azilkërkimi dhe migrimi i paligjshëm. Shqipëria ka një ndër nivelet më të larta në Evropë të atyre që kërkojnë azil në BE. Sipas një ankete së fundmi të GALLUP-it, së paku 79% e të rinjve dëshirojnë të largohen nga Shqipëria! Kjo gjendje alarmante ka ndikim në të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor, po sidomos në ato të Bashkimit Evropian, si vende pritëse.”

Disa vende evropiane, organizata dhe grupe studentore kanë dalë në mbështetje të veprimeve të studentëve, siç kanë bërë edhe 24 organizata joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare. Arsyeja e heshtjes së BE-së dhe të Ambasadës së SHBA-së është për t’u shqetësuar, pasi të dyja përfaqësitë zakonisht janë të zëshme dhe aktive në shumë çështje sociale. Nuk mbetet veçse të hamendësojmë se atyre u është thënë nga qeveria Rama që të qëndrojnë të heshtura, ose se ato nuk e mbështesin të drejtën themelore të njeriut për arsim, ashtu siç paraqitet në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut.

Ritheksoj thirrjen time për Ambasadorin e BE-së dhe për Ambasadën e SHBA-së: Deklaroni publikisht qëndrimin tuaj për këtë çështje.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>