
Kreu i Fondit Rus të Pasurisë Sovrane, Kirill Dmitriev, bëri të ditur se të hënën është arritur “marrëveshje me kompani nga Italia, Spanja, Franca dhe Gjermania për të filluar prodhimin” e vaksinës ruse Sputnik V.
Organizata në fjalë ka financuar vaksinën dhe është përgjegjës për shitjen e saj globalisht.
Sipas një raportimi të Radio Free Europe, Dmitriev tha se marrëveshjet do të lejonin furnizimin e Sputnik në tregun Evropian “sapo të jepet miratimi” nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).
EMA nisi një vlerësim të Sputnik V në fillim të këtij muaji, por Hungaria – anëtare e BE – ka filluar ta përdorë atë si pjesë të fushatës së vaksinimit, edhe pse i mungon miratimi nga agjencia evropiane.
Republika Çeke dhe Sllovakia kanë urdhëruar gjithashtu doza dhe thanë se nuk do të presin miratimin e EMA.
Sipas Fondit Rus të Pasurisë Sovrane, Sputnik V është regjistruar në më shumë se 50 vende.
Dmitriev tha më 15 mars se 3.5 milion njerëz në Rusi kishin marrë të dy dozat e vaksinës.