Sa i kushtuan aktorët e blerë Lali Erit?

Nga Andi Bushati
Sa i kushtuan aktorët e blerë Lali Erit?

Kam folur me shumë miq të mij që janë ndjerë të shkurajuar, ditët e fundit, teksa shihnin si shiteshin njëri pas tjetrit  disa nga korifejtë e skenës sonë të teatrit.

Kam parë me qindra statuse në Facebook, që i tallnin, i shanin, i përbuznin, i përqeshnin, ata që nga protestues radikalë u shndërruan në batakçinj me bisht në shalë.

Kam dëgjuar pafund qytetarë të thonë shprehjen e zakonshme se ky vend nuk mund të bëhet kurrë, pasi këtu edhe morali edhe pasioni edhe bindjet edhe krenaria janë disa zëra më shumë në listën e mallrave që shiten dhe blehen në treg.

Por, sado dëshpëruese, e përshtirë, për të ngjallur krupën, të duket strategjia e lali Erit për të joshur me para, projekte, punësime, qofte apo birra, ata që realizmi socialist na kishte bërë t’i shikonim si përçuesit e zërit të Partisë tek masat, ky nuk është detyrimisht një lajm i trishtuar.

Patjetër që pasojat e tij nuk do të jenë të vogla.

Kauza e mbrojtjes së Teatrit Kombëtar mori një të krisur të madhe, protesta nuk pati peshën që mendonin organizatorët e saj, në opinion u krijua dyzimi se kjo aferë milionash nuk qenka ndonjë skandal i madh, por përkundrazi, pjesë e një debati estetik për një teatër të vjetër apo të ri.

Si pasojë e kësaj, ndoshta këtë verë (ashtu siç ndodhi me stadiumin kur Tirana ishte derdhur drejt plazhit), godinës së vjetër italiane do t’i vihet dinamiti.

Por, pavarësisht se të gjithë nostalgjikëve dhe mbrojtësve të trashigimisë do tu hapet një plagë ne zemër, kjo histori nuk mund të shihet si një shenjë e qartë e vdekjes së nervit të protestës.

Sharlatanizmi i 10 apo 15 burrave që pranuan të njollosin me një lehtësi të padurueshme imazhin e tyre publik, nuk do të thotë se në këtë vend nuk ka shpresë. As se Lali Eri Doli i fituar.

Dhe për të mbështetur këtë tezë na shërben një histori e kohëve së fundit.

Nuk ka diskutim se në këtë vend të gjithë njerëzit që kaplohen nga deliri i pushtetit, pas krimit të parë që kryejnë, mendojnë se si të heshtin zërat kundër dhe revoltën e qytatarëve. Këtë bëri edhe Berisha në 21 janar. Për të mos u sfiduar më nga qytetarët poshtë zyrës së tij, ai urdhëroi të kryheshin vrasje. Kush e mban mend, që nga ajo ditë, ai qeverisi pa mitingje dhe pa revolta. Askush nuk guxoi më të dilte në bulevard. Dhe kjo fillimisht u duk si një fitore e përkohshme.

Edhe atëherë dëgjoheshin shumë zërat për një shoqëri të ndrojtur, pa fibër revolte dhe të friksuar deri në palcë që përshtatej me çdo lloj padrejtësie që i impononin.

Por, nuk kaluan as diçka më shumë sesa dy vite e gjysëm dhe shqiptarët u bënë 1 milionë bashkë për t’a hequr qafe vrasësin e bulevardit.

Natyrisht deri tani, socialistët nuk kanë dhënë dhembuj se përdorin kallashnikovin, në vend të tij ata fusin në punë paranë. Ata nuk të përdhunojnë, ata të korruptojnë. Ata nuk të godasin, ata të joshin.

Gjithnjë me të njëjtin qëllim: që të vjedhin për vete sa më rehat.

Këtë bënë edhe këtë herë për të shkatërruar protestën e teatrit. Edi Rama urdhëroi mashën e tij në bashki dhe deri diku ia arriti qëllimit.

Por sado i rëndë që të jetë, çfarëdo kostoje që të ketë, çmimi i kësaj taktike, rezultati që polli, nuk mund të shihet vetëm me syze të errëta. Ai nuk mund të jetë vetëm pasqyra e njerëzve pa dinjitet që shndërrohen në karagjozë në sy të publikut.

Sepse përpos kësaj, kjo ngjarje e trishtë nxori në dritë të diellit edhe një të vërtetë të madhe: se çfarë korruptuesi i rëndomtë është Lali Eri. Prandaj ashtu si njerëzit i mbajtën mend Berishës plumbat e 21 janarit, ata nuk do i’a harrojnë as atij, paratë e shpezuara për të shuar protestën e mbrojtjes së teatrit. Ai tashmë e ka marrë vulën e dallaverexhiut. Dhe dikur do t’a paguaj çmimin e saj.


Ky artikull u publikua më parë tek Lapsi.al.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>