
Ish-presidenti i SHBA, Donald Trump është shpallur i pafajshëm nga Senati për akuzën e nxitjes së trazirave të 6 janarit në Kapitol.
Senati votoi me 57 vota për ta shpallur ish-presidentin fajtor dhe 43 jo fajtor. Meqenëse në një gjyq në Senat kërkohen 67 vota, ose dy të tretat për fajësimin, Trump u shpall i pafajshëm.
Është hera e dytë në 12 muaj që zoti Trump i mbijeton një gjyqi në Senat. Nëse do të shpallej fajtor ai nuk do të kishte më mundesi të kandidonte për një post publik.
Pasi Senati e shpalli të pafajshëm, Trump tha se gjyqi kundër tij ishte një fazë tjetër e “gjuetisë më të madhe të shtrigave në historinë e vendit tonë”.
Demokratët e akuzuan Trump për sulmin në Kapitol që la pesë të vdekur, përfshirë një oficer policie.
Trump është presidenti i tretë në histori ndaj të cilit Dhoma e Përfaqësuesve ngre akuza për ta shpallur fajtor, i pari ndaj të cilit ngrihen dy herë akuza të tilla dhe gjithashtu i pari që përballet me një gjyq në Senat pas largimit nga detyra.