
Serbia do të nisë vaksinimin e popullsisë ditën e enjte me 24 dhjetor.
Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç do të jetë ndër personat e parë që do të marrë dy dozat e vaksinës, me qëllim rritjen e besimit publik në sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç njoftoi se dozat e para do t’i marrin të moshuarit në shtëpitë e të moshuarve.
“Është e rëndësishme që të mbrojmë këta njerëz, më shumë se 80 për qind e personave që kanë vdekur nga ky virus i tmerrshëm janë të moshuar dhe ata janë më të rrezikuarit”, deklaroi ai.
Serbia është i pari vend në Ballkan që do të nisë vaksinimin kundër Covid-19.
Serbia mori të martën rreth 5 mijë doza vaksinash.
Më 15 dhjetor presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç njoftoi se Serbia kishte porositur 340 mijë doza të vaksinës kundër Covid-19.