Shoqëria shqiptare ka nevojë për pishtarë të rinj për të drejtuar kombin drejt të ardhmes

Pjesë nga fjala e Zotit Elez Biberaj, Drejtor i Zërit të Amerikës për Euroazinë, mbajtur në ceremoninë e 110 vjetorit të themelimit të Gazetës Dielli, Nju Jork, 6 Prill 2019.

Nga Elez Biberaj
Shoqëria shqiptare ka nevojë për pishtarë të rinj për të drejtuar kombin drejt të ardhmes

Shoqëritë shqiptare vuajnë nga një polarizim i rrezikshëm politik, nga qeverisje të dobëta, korrupsion i përhapur thellë dhe mungesë e zërave të besueshëm për kompromis dhe moderim.

Shqipëria po përballet me problemet më serioze, që pas situatës shkatërrimtare të vitit 1997 – gjendja politike po përkeqësohet, vendi po përjeton praktikisht zhbërjen e sistemit të kontrollit dhe balancave, dhe gjyqësori duket i paralizuar. [..] Polarizimi është tejet i thellë, mungon qendra politike, ç’ka e bën kompromisin shumë të vështirë. Shqipëria e gjen veten në pozitën e palakmueshme të të qënit një nga vendet më të varfëra dhe më të korruptuara të Evropës.

Pas fitores me një shumicë dërmuese në zgjedhjet e vitit 2017, Kryeministri Edi Rama qeveris i pasfiduar. Por sundimi i tij është dëmtuar nga qeverisja e dobët, korrupsioni i përhapur thellë, keqadministrimi ekonomik, dhe stili i tij i udhëheqjes ka krijuar shumë kundërshtarë.

Siç ka ndodhur edhe me disa udhëheqes të tjërë europiano-lindorë, Rama është bërë dukshëm më autoritar, më i korruptuar, më arrogant dhe më pak transparent. Ai është përpjekur ta forcojë pushtetin e tij në maksimum, duke ngushtuar hapësirën publike, duke minuar institucionet e pavarura, duke e mbushur gjyqësorin me besnikë, nën maskën e reformave dhe duke margjinalizuar opozitën.

Rama ka krijuar një model qeverisjeje që bazohet tek kleptokracia, duke dhënë pa tendera, kontrata me vlerë qindra milionë dollarëshe për kompanitë pranë qeverisë. Marrëdhëniet klienteliste mes zyrtarëve qeveritarë dhe biznesmenëve të njohur kanë deformuar procesin vendimmarrës të qeverisë, duke shkelur rregullat bazë të lojës, duke prishur konkurrencën në treg dhe duke u hequr qytetarëve të zakonshëm çdo mjet përmes së cilit ata do të mund të ndikonin në sjelljen e ndryshimeve.

Shtypi është bërë më pak i lirë dhe i pavarur. Kryeministri ka sfiduar në mënyrë të vazhdueshme vetë parimin e një shtypi të pavarur, duke krijuar median e tij televizive në internet, ERTV. Ai i ka goditur në mënyrë të vazhdueshme mediat. [..] Sulmet e tij të fundit ndaj Zërit të Amerikës pas transmetimit të një raporti mbi bashkëpunimin mes zyrtarëve të Partisë Socialiste dhe grupeve të krimit të organizuar gjatë zgjedhjeve të vitit 2017, ishin jashtëzakonisht befasuese në ashpërsinë e tyre.

Rama ka refuzuar të dënojë rastet e shumta skandaloze për korrupsionin, përfshirë publikimin e përgjimeve që tregojnë lidhjet e zyrtarëve të lartë socialistë me grupe të krimit të organizuar në blerjen e votave gjatë zgjedhjeve të vitit 2017. Pa as më të voglin shqetësim, ai u ka ofruar pandëshkueshmëri zyrtarëve të lartë edhe përkundër të dhënave të qarta për korrupsion dhe bashkëpunim me grupet të krimit të organizuar dhe trafikantë të drogave.

[Lënia e mandateve nga opozita] e futi Shqipërinë në një gjendje tensionesh të shtuara, që rrezikon shpërthimin e dhunës, shkatërrimin e qeverisjes dhe shtyrjen e integrimit në BE. […]. Por, Kryeministri nuk ka bërë përpjekje serioze për të hyrë në dialog me opozitën.

Nuk ka dyshim që një numër i madh i ankesave të Partisë Demokratike dhe partive të tjera të opozitës janë të ligjshme. Por, duke u larguar nga parlamenti, deputetet e opozitës thjesht kanë braktisur përgjegjësitë e tyre ndaj elektoratit dhe ia kanë bërë më të lehtë Kryeministrit Rama të marrë masa më autoritare.

Ndoshta Basha mund të kishte ndjekur një politikë të dyfishtë: të qëndronte në parlament duke kundërshtuar qeverisjen dhe pushtetin e Ramës, ndërsa në të njëjtën kohë të mobilizonte mbështetjen për protesta mbarëkombëtare, të hartonte një platformë alternative dhe të punonte për ta pozicionuar partinë e tij sa më mirë për të fituar zgjedhjet e ardhshme vendore dhe parlamentare. Ndërsa zgjedhjet në Shqipëri përgjithësisht kanë qenë problematike, ato ofrojnë mundësinë më të mirë dhe më realiste për opozitën që të vijë në pushtet.

Basha e mori këtë vendim tejet të rëndësishëm pa zhvilluar një debat të vërtetë dhe të sinqertë rreth pasojave dhe rreziqeve të mundshme të një kursi të tillë dhe pa ndonjë përpjekje serioze për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare. Pak anëtarë të Partisë Demokratike kishin kurajon dhe mundësinë për të vënë në dyshim argumentat e supozuar mbi të cilat u mor vendimi. Siç pritej, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shprehën mbështetje për qeverinë dhe kritikuan opozitën.

Ndërsa Basha ka qenë në gjendje të organizojë protesta të mëdha në Tiranë, nuk është e qartë se deri në çfarë mase mesazhi i opozitës është pranuar nga popullsia. Nuk është e qartë nëse Basha ka një strategji për të zgjeruar bazën e partisë dhe për të angazhuar shoqërinë civile, ç’ka do t’i ndihmonte opozitës të vazhdonte protestat dhe të bindte Ramën për kompromis.

Ekziston një hendek i madh midis mjeteve në dispozicion dhe synimeve të Bashës. Mungesa e një strategjie dhe forca e pushtetit të Ramës mund të çojë në humbjen e mbështetjes për Bashën dhe copëzimin e bllokut opozitar.

Kritikat e komunitetit ndërkombëtar për vendimin e Bashës dhe ngurrimi për të shqyrtuar seriozisht politikat dhe veprimet e qeverisë, e kanë inkurajuar Ramën, duke i shtuar besimin në forcimin e kontrollit të pushtetit. Strategjia e tij ka qenë të pasqyrojë një ndjenjë normaliteti dhe të kalojë në ofensivë me tubimet e tij, duke shpresuar se me kalimin e kohës mbështetja për opozitën do të zbehet.

Nëse udhëheqësit shqiptarë nuk bëjnë përpjekje serioze për kompromis, Shqipëria mund të hyjë në një situatë pa rrugëdalje. Prova e pare do të jenë zgjedhjet vendore, të planifikuara për në qershor. Është në interesin e të dyja palëve që opozita të marrë pjesë në zgjedhje.

Nëse Basha i bojkoton zgjedhjet, opozita do t’u mohonte mbështetësve të saj të drejtën e përfaqësimit dhe do të rrezikonte të margjinalizohej gjithnjë e më shumë. Nga ana tjetër, do të ishte një politikë dritëshkurtër për Ramën të hynte në zgjedhje pa opozitën, ose të përpiqej të krijonte opozitën e tij për të zëvendësuar opozitën e vërtetë.

Kriza mund të zgjidhet me një marrëveshje për zgjedhjet vendore, e pasuar nga ndryshimet në kodin zgjedhor dhe një marrëveshje për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme parlamentare. Është bërë e domosdoshme që ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 të rishikohen me synimin për të forcuar institucionet e pavarura dhe për të fuqizuar parlamentin.

Por në fund të fundit, çdo marrëveshje, në mungesë të një ndryshimi tërrësor dhe reformave të vërteta e thelbësore, nuk do të çonte në një shkëputje të qartë dhe nuk do të rigjallëronte sistemin politik të vendit.

Shqipëria ka nevojë urgjente për një rifillim, për një pakt kombëtar – një marrëveshje për synimet e përbashkëta kombëtare dhe për parimet e një qeverisjeje të mirë – që do të ribënte sistemin politik të vendit.

Politikanët e sotëm nuk mund te shikohen më si udhërrëfyes – atyre iu janë shtërruar idete. Ata nuk kanë çfarë të ofrojnë më shumë dhe nuk mund të shërbejnë si katalizatorë për ndryshime thelbësore. Le të shpresojmë që tre dekada pas përmbysjes së komunizmit, shoqëria shqiptare është në gjendje të prodhojë pishtarë të rinjë që do të zotërojnë aftësitë drejtuese që kërkon e ardhmja e kombit tone.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>