Ish-kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha duket se është i pakënaqur me drejtimin e opozitës nga pasardhësi i tij Lulzim Basha. Në një intervistë për Abc News, Berisha deklaroi se nëse do të ishte në krye të PD-së, do ta çonte vendin në revolucion demokratik.
Për Berishën, sot janë kushtet optimale për të udhëhequr popullin në protesta kundër qeverisë. “E kam thënë edhe më herët. Unë do të bëja gjithçka që vendi të shkonte në një revolucion demokratik. Situata ekonomike është e papranueshme dhe kjo do të thotë më shumë mbështetje nga qytetarët”, u shpreh Berisha.
Me këtë deklaratë, Berisha duket kritik ndaj faktit që lideri i PD-së nuk ka mundur të orientojë politikën e opozitës drejt mobilizimit të qytetarëve, të cilët, sipas ish-kryeministrit, janë në shumicë të pakënaqur me qeverinë Rama.
Deklarata publike e Berishës është në vazhdën e një protagonizmi të theksuar të tij në politikë, si të ishte ai lider i PD-së. Herë pas herë, Berisha zëvëndëson kryetarin Lulzim Basha me deklarata publike e takime me mediat për çështje të rëndësishme, duke lënë në hije qëndrimet e liderit zyrtar të PD-së.
Me këtë deklaratë të fundit duket se Berisha lë të hapur mundësinë për rikthim në krye të Partisë Demokratike. Kjo mundësi mund të dukej më i justifikaur në rast të dështimit të Bashës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.