Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Delegacioni i BE-së dhe Misioni i OSBE-së në Tiranë kanë përshëndetur marrëveshjen politike mes opozitës dhe shumicës për Reformën Zgjedhore.
Ambasada amerikane, përmes një postimi në Facebook, tha se kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm për të trajtuar plotësisht rekomandimet e ODIHR-it për zgjedhjet:
“Ne përshëndesim palët që ranë dakord të punojnë së bashku për reformën zgjedhore, një hap i rëndësishëm për të trajtuar plotësisht rekomandimet e ODIHR-it. Reforma do të mbështesë procese zgjedhore të efektshme dhe të besueshme dhe do të forcojë demokracinë shqiptare.
Ne shpresojmë që palët të vijojnë të ecin përpara me këtë frymë aktuale bashkëpunimi, për t’u siguruar që zgjedhet në Shqipëri të jenë të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni.”
Ambasadori i BE-së Luigi Soreca, po ashtu, tha se kjo marrëveshje “është një arritje e rëndësishme për rikthimin e stabilitetit politik të Shqipërisë dhe në kontekstin e procesit të integrimit në BE.”
Ai shprehu besimin se reforma e dalë nga ky bashkëpunim opozitë-qeveri do të jetë në të mirë të qytetarëve shqiptarë:
“Ne mirëpresim marrëveshjen e sotme ndër-partiake mbi rrugën përpara për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR.
Ne besojmë se të gjitha partitë do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të përfunduar një reformë zgjedhore në kohë, që do të miratohet nga Parlamenti, në të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe të së ardhmes së tyre evropiane.”
Prezenca OSBE, në një reagim në Twitter, shkruan se “e shohim këtë marrëveshje si një hap të parë të rëndësishëm drejt një reforme të plotë e në kohën e duhur”.
Sipas OSBE-së kjo reformë do të marrë në shqyrtim të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet, në dobi të të gjithë qytetarëve shqiptarë.