Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë vetëpërmbajtje nga qeveria e Kosovës dhe Serbisë dhe të ulin “pa asnjë vonesë” tensionet, pas vendimit të Prishtinës për të ndaluar hyrjen e automjeteve me targa serbe në Kosovë.
“I bashkohemi BE-së në thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që të përmbahen nga veprimet e mëtejme të njëanshme dhe të ulin tensionet menjëherë, pa asnjë vonesë”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.
Të hënën autoritetet kosovare vendosën që automjetet me targa serbe duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikë-kalimet kufitare të Kosovës. Në të kundërt ato nuk do të lejohen të qarkullojnë në Kosovë.
Qeveria e Kosovës argumentoi vendimin se ishte sjellje reciproke, pasi edhe automjeteve me targa kosovare iu kërkohet t’i ndryshojnë në pikat kufitare me Serbinë.
Bashkimi Evropian i bëri më herët thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin në mënyrë të menjëhershme tensionet në veri.
Në zonat me shumicë serbe në veri pati protesta ndaj vendimit të Prishtinës dhe bllokim të lëvizjes, ndërkohë që Forcat e Njësive Speciale të Kosovës kërkuan zhbllokimin e rrugëve.