Shkodër — Partia Socialiste ngre tendë përpara bashkisë

Shkodër — Partia Socialiste ngre tendë përpara bashkisë

Përfaqësues të Partisë Socialiste kanë vendosur një tendë në oborrin e Bashkisë për të organizuar aty takimin elektoral të Kryeministrit Rama me të rinjtë e qytetit.

Por, vendosja e tendës ka shkaktuar përplasje ndërmjet policisë bashkiake dhe asaj të rendit sepse në të njëjtën orë Bashkia Shkodër ka planifikuar organizimin e aktiviteteve në kuadër të ditës së familjes, aktivitet ky i lajmëruar më parë.

Pas përplasjes ka reaguar Kryebashkiakja Voltana Ademi. Zonja Ademi e quajti provokim vendosjen e tendës në oborrin e Bashkisë. Ajo saktësoi se Partia Socialiste ka marrë leje për zhvillimin e takimit pranë Prefekturës dhe jo në oborrin e Bashkisë.

“Ndërhyrja e Policisë së Shtetit është e paligjshme. U bë për të mos lejuar zhvillimin e aktivitetit tonë për ditën ndërkombëtare të familjes. Bashkia do ketë aktivitete edhe në orën 17:00-20:00. I bëjmë thirrje kryeministrit Rama të mos provokojë. Rama lejen për aktivitetin s’e ka në oborrin e Bashkisë, por pranë Prefekturës”, — tha Kryebashkiakja Ademi.

Kryeministri Edi Rama do të vizitojë Shkodrën pasditen e sotme. Ai do të zhvillojë një takim elektoral me të rinjtë e qytetit, të cilët votojnë për herë të parë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>