Të shtunën në mëngjes një grup qytetarësh protestuan përpara Kuvendit kundër ndryshimit të nenit 449 të Kodit të Procedurës Penale, i cili tani nuk lejon rigjykimin e një rasti nëse i pndehuri ka marrë fajësinë ose është dënuar me vendim të formës së prerë edhe nëse dalin prova të reja inkriminuese që e rëndojnë më shumë të gjykuarin.
Para ndryshimit, Kodit lejonte rigjykimin brenda pesë vjetësh nga data e vendimit të mëparshëm gjyqësor. Ndryshimi u miratua në Kuvend përkundër rekomandimeve të misionit të asistencës teknike evropiane Euralius, i cili kishte dërguar në Kuvend një tekst që hiqte edhe kufizimin pesëvjecar dhe lejonte rigjykimin në çdo kohë.
Ndërsa i gjithë vendi flet për veting, ndërsa Kryeministri akuzon opozitën për bllokim të reformës në drejtësi, ndërsa ambasadorët dhe politikanët e huaj vazhdojnë të bërtasin për veting dhe për reformë në drejtësi, dhe ndërsa i gjithë populli thotë se drejtësia është e korruptuar, shumica qeverisëse miraton në heshtje një nen që shkon tërësisht në kahun e kundërt dhe të gjithë idhtarët e reformës heshtin. Hesht Kryeministri (me gjasa autori i vërtetë i ndryshimit), hesht opozita, heshtin ambasadorët e huaj, hesht shoqëria civile, hesht 97 për qindshi i popullit që donte reformën në drejtësi.
Argumenti kryesor i Kryeministrit Rama për të sulmuar qëndresën e opozitës është se kriza është e sajuar, dhe këtë e tregon fakti se personat në tendë janë vetëm militantë. Arsyetimi i Kryeministrit është se nëse do të kishte më të vërtetë krizë, atëhere qytetarët do të ishin në shesh me opozitën, por përderisa kjo nuk po ndodh, atëhere nuk ka krizë dhe veprimet e opozitës janë komplot kundra reformës në drejtësi, të dëshiruar nga populli për të dënuar politikanët e korruptuar.
Por realiteti duket se është krejt ndryshe dhe më i hidhur.
Protesta e të shtunës tregon se populli nuk preket nga një nen i miratuar, i cili shpëton kriminelët që kanë korruptuar gjykatat për t’u liruar.
Ashtu sikurse ka ndodhur më parë, argumenti pro reformës ka qenë i duhuri, por si gjithmonë ai që e ka përdorur ka patur qëllime jo transparente, në mos manipuluese, vetëm për të arritur objektivin e tij, pushtetin.
Edhe zërat kundra, të cilët janë të besueshëm e që nuk janë militantë partie, likujdohen me një sharje të “keqe” nga shoqëria shqiptare : “idealist”, që në pjesën më të madhe të rasteve nënkupton idiot, fëminor, naiv, iracional, jo pragmatist, etj.
Tani kemi edhe provën se të gjithë gënjejnë, se të gjithë duan të përfitojnë — politikanët kërkojnë votat, diplomatët e huaj kërkojnë famë, sipërmarrësit kërkojnë paratë dhe djersën tonë, tregtarët na shesin mall të skaduar, komshiu na merr parkimin, madje edhe besimtarët janë në kërkim të pronave tona.
Ndaj shoqëria jonë sheh çdo gjë me pesimizëm, sheh me dyshim çdo burim të mundshëm lirie dhe është komplet e anestetizuar.
Sepse shumë vite në komunizëm kanë rrënjosur tek shoqëria shqiptare pragmatizmin, analizën materialiste të botës, logjikën e bazuar vetëm në interesa materiale të menjëhershëm, që zhvlerëson këdo që ndjek një ideal, apo vetëm një interes për një periudhë afat shkurtër.