Shqipëria nuk do e pezullojë vaksinimin me AstraZeneca sikurse kanë bërë një numër vendesh në BE.
Lajmin e konfirmoi të dielën në Euronews zëvendësministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini.
Tomini tha se Shqipëria do të vazhdojë vaksinimin duke u mbështetur tek qëndrimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe vendimi i Komitetit të Imunizimit në Shqipëri.
“Deri në këto momente, duke parë dhe reagimet e OBSH përkundjet vaksinës AstraZeneca, janë parë disa fenomene të mpiksjes së gjakut por janë vërejtur në të njëjtën peshë të popullatës që nuk e kanë marrë vaksinën. Nuk është gjetur ndonjë lidhje domethënëse shkak pasojë me vaksinën” tha Tomini.
Ajo tha se Komitetit i Imunizimit ka arritur në konkluzionin se fillimi i vaksinimit me AstraZeneca është një fillim efikas.
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha të shtunën se po hetohen pretendimet për probleme të mundshme të vaksinës AstraZeneca.
Danimarka, Norvegjia, Islanda, Tajlanda dhe disa rajone në Spanjë kanë pezulluar përdorimin e kësaj vaksine. Vendimi i tyre erdhi për shkak të hetimeve mbi vdekjen e dy persona pas marrjes së dozës së parë të AstraZeneca. Ata humbën jetën si pasojë e mpiksjes së gjakut.
Italia dhe Austria ka pezulluar vetëm disa furnizime të caktuara si masë parandaluese.
Shqipëria ka nisur vaksinimin me AstraZeneca, të premten u morrën 38 400 doza të kësaj vaksinë. Aktualisht ka nisur vaksinimi për mësuesit.