758 shqiptarë u dëbuan nga Gjermania në vitin 2018, duke e renditur kombësinë shqiptare të parën për numrin më të lartë të shtetasve të dëbuar.
Të dhënat u bënë publike nga Ministria e Brendshme gjermane.
Arsyet kryesore të dëbimeve janë refuzimi i kërkesave për azil, skadimi i lejes së qëndrimit, apo edhe qëndrimi pa dokumente.
Pas shqiptarëve, dy kombësitë me numrin më të lartë të të dëbuarve ishin ukrainasit, me 755 raste, dhe serbët, me 509 raste.
Gjermania prej vitesh ka theksuar se Shqipëria është një vend i sigurtë origjine, ndaj nuk do të pranojë asnjë kërkesë për azil nga shqiptarë. Megjithatë, kjo nuk i ka ndaluar shqiptarët të tentojnë marrjen e azilit në Gjermani, apo vende të tjera të BE-së.
Pavarësisht dëbimeve në masë, sipas të dhënave të Zyrës Evropiane të Mbështetjes së Azilit (EASO), 10439 shqiptarë aplikuan për herë të parë për azil nga janari deri në qershor 2019.
Krahasuar me vitin e shkuar, ka një rritje me 20.2 për qind.
1478 prej tyre ishin azilkërkues që iu ishte refuzuar më parë kërkesa për azil, por aplikonin përsëri.
Prej vitit 2013 numri i azilkërkuesve nga Shqipëria ka qenë mbi 11,000 në vit.
Viti 2015 kishte dhe numrin më të lartë, me 68945 aplikime, pjesa më e madhe e të cilave morën përgjigje negative.
Gjatë kësaj periudhe, shqiptarët janë renditur pas sirianëve dhe irakenëve për numrin e kërkesave për azil. Në Siri dhe Irak arsyet e largimit nga vendi kanë qenë konfiltet, ndërsa për Shqipërinë nuk ndodh kështu.
Shqiptarët largohen nga vendi me arsye kryesore mungesën e sigurisë, punës dhe shpresës.