Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë, të hënën, seancën gjyqësore për anëtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci.
Seanca e radhës pritet të mbahet në 5 shkurt.
Kjo është hera e tretë që gjyqi ndaj Dacit shtyhet. Ai akuzohet për falsifikim të dokumenteve.
Prokuroria e Posaçme kërkoi 1 vit burg për Dacin.
Sipas Kodit penal kjo vepër penale dënohet deri në tre vjet burg.
Luan Daci është shkarkuar në vitin 1997 për shkak se ka mbajtur të fshehur një vendim në lidhje me një firmë piramidale për rreth 6 muaj, si dhe ka organizuar një grevë në ambjentet e gjykatës së Tiranës.
Por gjatë aplikimit për të qenë pjesë e KPA-së, në intervistën me Komisionin Parlamentar ad hoc, Dacie fshehu shkarkimin nga detyra duke pohuar se kishte ikur me dorëheqje.
Pas hetimeve, SPAK kërkoi pezullimin nga detyra të tij dhe akuzoi Dacin se ka fallsifikuar dokumentat. Ai u pezullua nga puna, por më pas gjykata e Posaçme e Apelit vendosi rikthimin e tij në punë.
Pas kësaj, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi për pezullimin e tij nga detyra deri në përfundim të procesit.