Shumica socialiste do të rikthejë për votim në kuvend ligjin për magjistratët e rinj, i cili për shkak të mungesës së votave nuk u votua në seancën e kaluar.
Nëse votohet, ky ligj i jep të drejtën Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, të emërojnë gjyqtarët e prokurorët e rinj të dalë nga Shkolla e Magjistraturës.
Me ndryshimet e bëra nga reforma në drejtësi, kjo e drejtë është vetëm e KLGJ-së dhe KLP-së, institucione të paformuara akoma si pasojë e vonesave të shumta të procesit të vetingut.
Që të miratohen këto ndryshime duhen 84 vota, ndaj shumica socialiste, përveç votave të saj, duhet të marrë dhe disa vota nga opozita.
Por kjo e fundit e ka kundërshtuar projektligjin. Sipas PD-së dhe LSI-së, miratimi i këtij projekligji do të thotë de facto kapje e sistemit të drejtësisë nga qeveria socialiste, e cila ka emëruar Prokuroren Arta Marku dhe anëtarët e KLD-së, mes të cilëve është dhe Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.