Qeveria publikoi në 7 prill kushtet dhe kriteret për përfitimin e huasë me garanci sovrane për ato biznese që kanë mbyllur aktivitetin apo kanë pësuar rënie të xhiros nga masat shtrënguese kundër Covid-19.
Shuma e kredisë nuk mund të kalojë vlerën e 3 pagave mujore bruto të deklaruara të punonjësve, (përfshi sigurimet shoqërore dhe shëndetësore) sipas listëpagesës së muajit Shkurt. Paga e një punonjësi në asnjë rast nuk do llogaritet më e lartë se 150 mijë lekë.
Norma e interesit të huasë nuk duhet të kalojë 2.85% sipas vendimit të qeverisë dhe 12 Bankat e përfshira në skemë nuk do aplikojnë kosto administrative mbi huanë. Kohëzgjatja e kësaj kredie do jetë maksimumi 2 vjet dhe biznesi do të fillojë pagesat e kësteve vetëm 3 muaj pas marrjes së parave. Ministria e Ekonomisë dhe Financave garanton 100% të principalit të huave, por në asnjë rast interesat dhe penalitetet që mund të burojnë nga huaja.
Në mënyrë që kredia të aprovohet, biznesi duhet të ketë aftësi ripaguese, sipas kritereve të sektorit bankar dhe kushteve dhe diskrecionit të Bankës që do japë huanë. Bankat vendosin për miratimin apo jo të kredisë brenda 10 ditëve dhe garantojnë shpërndarjen e fondeve në llogaritë bankare të punonjësve.
Nga kjo skemë nuk përfitojnë të gjithë të vetëpunësuarit dhe bizneset e vogla që kanë marrë pagën minimale nga shteti për punonjësit e tyre, si dhe as ata që përfitojnë ndihmë ekonomike apo pagën e papunësisë.
Në rastet kur biznesi nuk shlyen dot këstet e kredisë ndaj Bankës, Ministria e Ekonomisë kompenson këtë të fundit. Por sipas Marrëveshjes së Mirekuptimit të publikuar në aktin normativ, në raste të tilla, Biznesi bie dakort të bëjë përpjekje për t’i kthyer Ministrisë shumën që ajo ka paguar në vend të tij, sëbashku me të gjitha kostot që mund të lidhen me të. Në të kundërt, Ministria ka të drejtë të zbatojë ligjet në fuqi për të përtifuar kthimin e kompensimit.
Nëse deri në fund të periudhës së huasë, biznesi nuk arrin t’i kthejë bankës detyrimin, ai humbet të drejtën e aksioneve të cilat do shiten nga strukturat përkatëse sipas legjislacionit në fuqi.
Lista e bizneseve të prekura nga masat e qeverisë, që duhet të publikohej bashkëlidhur si pjesë e këtij Akti Normativ, mungon në versionin digjital të Fletores Zyrtare.