Qeveria po përdor disa justifikime ligjore për të hequr bizneset e vogla nga shpërblimi financiar i miratuar më 19 mars.
Një nga pronarët e restoranteve të prekura, shprehet për Exit News se kërkesa e tij u refuzua me justifikimin se qeveria i kishte dhënë të drejtën të vazhdonte aktivitetin përmes shërbimit katering, dhe ndaj ai nuk meritonte shpërblim financiar.
Justifikimi i qeverisë bazohet në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë të miratuar më 12 mars.
Ky urdhër i jep të drejtën bareve dhe restoranteve të mbyllura të ofrojnë shërbimin e dërgesave në shtëpi.
Qasja e qeverisë dhe pse në pamje të parë duket sikur po i ndihmon bizneset në fakt vendimet e saj po e rëndojnë pozitën e tyre. Kështu:
Urdhri i ministrisë i lejon restorantet të vazhdojnë aktivitetin e kateringut apo delivery, por nuk i detyron që ata ta kryejnë një aktivitet të tillë. Kështu ofrimi ose jo i shërbimit të katering apo delivery është në vullnetin e pronarëve të restorantit.
Në rast se një restorant nuk e ka ofruar para mbylljes nga qeveria, shërbimin katering apo delivery, ai nuk mund ta fillojë ta bëj menjëherë. Shërbimi katering kërkon përgatitje si paketim të posaçëm, një person që dërgon porosin tek klienti, etj.
Por, edhe në rastet e restoranteve që e ofrojnë shërbimin katering ose delivery, ofrimi i këtij shërbimi realizohet me një personel të kufizuar. Kështu për shembull kamarierët apo banakierët, do të qëndrojnë në shtëpi pavarësisht se restoranti bën delivery apo katering.
Gjithashtu restorantet mund ta ofrojnë këtë shërbim, por fitimi është minimal dhe ai nuk mjafton për të paguar pagat e të gjithë punonjësve. Kështu këtij biznesi i mbetet vetëm një mundësi; të pushojë shumicën e punonjësve të tij të paaktivitzuar gjatë këtyre muajve.