57 për qind e amerikanëve duan që presidenti Donald Trump të largohet menjëherë nga detyra, pasi ai inkurajoi mbështetësit e tij të futeshin me dhunë dhe të shkaktonin trazira brenda në Kapitol, teksa certifikohej rezultati i zgjedhjeve presidenciale.
Ky është rezultati i një sondazhi bërë nga agjencia mediatike Reuters dhe IPSOS.
Sondazhi i Reuters/Ipsos u zhvilluar në internet, në anglisht, në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Në të morën pjesë 1,005 të rritur amerikanë, përfshirë 339 që thanë se kishin votuar për Trumpin në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Shumica e atyre që kërkuan largimin e menjëhershëm të presidentit republikan ishin demokratë, ndërsa shumica e atyre që mbështetën idenë që Trump të përfundojë mandatin deri në 20 janar ishin republikanë.
Pothuajse 70 përqind e amerikanëve të anketuar thanë se ata nuk i pranojnë veprimet e Trumpit për të nxitur mbështetësit e tij, në 6 janar.
Trazirat në Kapitol ku një oficere policie dhe katër të tjerë vdiqën, u dënuan ashpër si nga demokratët ashtu dhe nga republikanët.
7 nga 10 nga ata që thanë se kanë votuar për Trumpin në nëntor kundërshtuan veprimet e mbështetësve të tij, të cilët sulmuan Kapitolin.
Rreth 30 për qind thanë që presidenti duhet të hiqet duke përdorur dispozitat në Amendamentin e 25-të të Kushtetutës së SHBA-ve, e cila lejon nënkryetarin dhe Kabinetin të heqin presidentin nëse ai nuk është në gjendje të kryejë detyrat e tij zyrtare.
Një pakicë e vogël e të anketuarve – 12 përqind – thanë se mbështesnin veprimet e atyre që morën pjesë në trazira.
79 përqind e të anketuarve, përfshirë dy të tretat e republikanëve dhe votuesve të Trumpit, i përshkruan protestuesit ose “kriminelë” ose “budallenj”; 9 për qind thanë se ata janë “qytetarë të shqetësuar” dhe vetëm 5 për qind i quajtën “patriotë”.
Mbrëmjen e 6 janarit, qindra mbështetës të Trampit hynë në mënyrë të dhunshme në Kapitol, Kongesin amerikan, teksa po shqyrtohej certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve presidenciale.
Fillimisht Tramp i bëri thirrje protestuesve të marshonin në Kapitol. Por kur ata thyen rrethimin dhe nisi dhuna, ai i bëri dy herë thirrje mbështetësve të tij që të qetësoheshin.
Nga përplasjet me policinë, janë raportuar 4 viktima dhe mbi 50 persona të tjerë janë arrestuar.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Amerikës, demokratja Nancy Pelosi kërkoi, të enjten, shkarkimin e menjëhershëm të Donald Trump-it përmes amendamentit 25.
Presidenti i 46-të i SHBA-ve Xho Bajden e cilësoi dhunën e ushtruar nga mbështetiësit e Trampit si një prej ditëve më të errëta në historinë e SHBA.
Dhuna e ushtruar në Kapitol e nxitur nga Tramp bëri që të jepnin dorëheqjen disa sekretarë të Shtëpisë së Bardhë.