Një tjetër sondazh për zgjedhjet e 25 qershorit u bë publik dje nga Instituti italian Piepolo në bashkëpunim me televizionin Report Tv. Sondazhi është fokusuar në një pamje të përgjithshme të partive në nivel kombëtar dhe në qarkun e Tiranës ku në garë janë 34 nga 120 mandate në total. Në sondazh kanë marrë pjesë 800 qytetarë, të cilët i janë përgjigjur pyetësorit përmes telefonit.
Sipas sondazhit, nëse shqiptarët do të votonin më 6 qershor, Partia Socialiste do të fitonte 48-52 për qind të votave, PD 28-32 për qind të votave, ndërsa LSI 9-13 për qind të votave.
Përkthyer në deputetë, në rang kombëtar PS mund të sigurojë 69-73 mandate, PD 41-45 mandate, LSI 14-18 deputetë. Sipas sondazhit, partitë e vogla PDIU, FRD, LIBRA, e SFIDA mund të fitojnë 2-4 mandate secila.
Në qarkun e Tiranës rezultatet e sondazhit tregojnë se PS mund të fitojë 51-55 për qind të votave (15-19 mandate); PD 27-31 për qind të votave (9-13 mandate); LSI 5-7 për qind të votave (1-3 mandate); SFIDA e LIBRA 3-5 për qind (1-3 mandate), FRD 1-3 për qind (0-1 mandate) dhe PDIU 0-2 për qind (0-1 mandate).
Në ndryshim me sondazhin e IPR Marketing dhe OraNews, të publikuar më 31 maj, Piepolo parashikon një përqindje më të madhe votash për Partinë Socialiste, dhe ulje në përqindje për Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Në sondazhin e Piepolit, 14 për qind e të intervistuarve u shprehën se ishin ende të pavendosur, ndërsa në sondazhin e IPR-së 15,5 për qind.
Gjithsesi ajo që duhet të kemi parasysh kur krahasojmë rezultatet e dy sondazheve është se televizioni OraNeës perceptohet nga opinioni publik si nën ndikimin e LSI, ndërsa Report TV është nën pronësinë e Carlo Bollinos, një prej mbrojtësve më të mëdhenj të Kryeministrit Rama,
Instituti Piepoli do të raportojë çdo javë deri në javën e zgjedhjeve, rezultatet e sondazheve, ndërsa IPR Marketing do të publikojë sonte rezultatet e sondazhit të dytë.