Ambasadori i BE-së Luigi Soreca, ai i OSBE-së Bernd Borchardt dhe e ngarkuara me punë e SHBA-ve në Tiranë Leyla Moses-Ones përgëzuan sot magjistratët e rinj në ceremoninë e tyre të diplomimit.
Gjatë fjalëve përshëndetëse, tre ambasadorët theksuan se drejtësia në Shqipëri po kalon një reformë të thellë dhe se mbi brezi i ri bie përgjegjësia për të ndërtuar një sistem të ri drejtësie të ndershëm dhe të pavarur.
Zonja Leyla Moses Ones u shpreh:
“Udhëtimi juaj do ju vendosë në pozicione për të ndërtuar dhe mirëmbajtur sistemin e ri gjyqësor të Shqipërisë për dekadat e ardhshme.
Kjo ju jep fuqinë e jashtëzakonshme që të ndërtoni vendim pas vendimi, ditë pas dite një sistem gjyqësor të ndershëm dhe transparent, pa korrupsion.
Ju nxis të gjithëve të bëheni agjent të ndryshimit për një Shqipëri më të lirë, më të drejtë dhe më demokratike.”
Ambasadori Soreca i tha magjistratëve të rinj se duhet të jenë krenarë për mbarimin e studimeve, por dhe të përgjegjshëm për punën që i pret:
“Nuk ka më keq se padrejtësia apo drejtësia e vonuar. Gjykatësit janë si doktorët, që mund t’iu shpëtojnë jetën, në rrugën e drejtësisë.
Ju duhet të jeni krenarë sot, por nuk duhet të harroni përgjegjësinë që ju pret nesër.”
Ndërsa ambasadori i OSBE-së Bernd Borchardt inkurajoi magjistratët e rinj që të investojnë në reformimin e sistemit të drejtësisë:
“Jemi të ndërgjegjshëm që sistemi i drejtësisë në Shqipëri po kalon nëpër ndryshime të mëdha.
Duhet të jeni të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë që ju vjen në momentin që bëni betimin. Ju inkurajoj që të bëni më të mirën dhe të gjithë shpresojmë që të investoni në reformën në drejtësi.
Pavarësia dhe integriteti i sistemit janë themelore për drejtësinë në Shqipëri. Ju jeni zgjedhur për të çuar përpara sistemin.”