Dita e premte, 5 qershor është afati i fundit që bisneset mund të aplikojnë për përfitimin e pagës së luftës prej 40 mijë lekësh për punonjësit e tyre.
Pas përfundimit të afatit, të gjithë bizneset që nuk kanë aplikuar do të gjobiten me 50 mijë lekë.
Përjashtim nga gjobitja do të bëjnë ato biznese që gjatë muajve të pandemisë i kanë paguar me pagë të plotë të punësuarit apo ish-të punësuarit e tyre.
Punonjësit, të cilëve punëdhënësit e tyre nuk kanë plotësuar aplikimin, do të kenë mundësi që ti plotësojnë vetë të dhënat e llogarisë bankare pas 5 qershorit.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Tatimeve deri në 2 qershor rreth 130 mijë punonjës e kanë përfituar pagën prej 40 mijë lekësh. Ndërsa në parashikimin e bërë nga qeveria, nga kjo paketë ishte parashikuar të përfitojnë 176 mijë persona, ku rreth 100 mijë i përkasin biznesit të vogël dhe pjesa tjetër nga subjektet e mëdha që kanë larguar punonjësit nga skema e sigurimeve deri në 10 prill si dhe në turizëm.