SPAK e vendosur për ligjshmëri në KPA

Nga Exit News
SPAK e vendosur për ligjshmëri në KPA

Në 20 Maj, Gjykata e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të pranojë kërkesën e SPAK për pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Kolegjit të Posacëm të Apelimit, Luan Daci.

Kjo pasi rezultoi se gjyqtari Daci kishte fshehur shkarkimin nga detyra e gjyqtarit nga KLD në vitin 1997. Sic Exit News ka shpjeguar më parë, Daci jo vetëm kishte deklaruar se ndaj tij nuk është marrë asnjëherë masë disiplinore për largim nga puna, por i pyetur në Komisionin Parlamentar ad hoc ishte shprehur se qe larguar me dorëheqje.

Në 5 Qershor, Gjykata e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi rikthimin në detyrë të Luan Dacit duke arsyetuar se, pavarësisht se ai kishte fshehur shkarkimin nga detyra e gjyqtarit, kishte deklaruar në kërkesën drejtuar Avokatit të Popullit se ndaj tij nuk ishte marrë ndonjëherë masa disiplinore e largimit nga puna dhe në Kuvend ishte shprehur se qe larguar me dorëheqje, këto nuk e bënin me faj.

Vendimi, për të cilin Exit ka shkruar edhe më parë, është ankimuar sot në Gjykatën e Lartë nga SPAK, e cila duket e vendosur për t’i shkuar deri në fund betejës për ligjshmëri në shkallën e dytë të vetting-ut.

Në këtë artikull do të analizojmë vendimin e Gjykatës së Apelit, i cili është qartazi në tejkalim të kompentencës së dhënë nga ligji. Ligji parashikon se një masë ndaluese mund të vendoset në rastet kur ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova për kryerjen e veprës penale, dhe kur vepra apo dënimi nuk janë shuar.

Në rastin konkret, nga hetimet e SPAK ka rezultuar e provuar se në aplikimin e paraqitur  më 3 Shkurt 2017 nga Luan Daci për t’u emëruar gjyqtar në KPA, ka paraqitur të dhëna të rreme, duke fshehur shkarkimin nga detyra “për shkelje të ligjës dhe paaftësi”. Pra, dyshimi i arsyeshëm rezulton i bazuar plotësisht mbi prova.

Ndërkohë, Kodi i Procedurës Penale ka parashikuar katër kritere për vendosjen e masës së pezullimit të ushtrimit të një detyre apo funksioni publik. Konkretisht, (i) personi duhet të ushtrojë një detyrë publike; (ii) vepra penale duhet të lidhet me detyrën; (iii) vepra penale për të cilën akuzohet personi duhet të dënohet në maksimum jo më pak se 1 vit; dhe (iv) kjo masë nuk zbatohet për të zgjedhurit sipas ligjit elektoral.

Gjykata e Apelit, dhe çdo gjykatë tjetër, duhet të vlerësojë vetëm përmbushjen njëkohësisht të këtyre katër kritereve sa i përket vendosjes apo heqjes së masës për pezullimin nga detyra. Fajësia apo pafajësia nuk mund të vendoset nga një gjykatë që vlerëson masën e pezullimit, por vetëm nga gjykata që shqyrton cështjen në themel, pasi prokuroria të ketë mbyllur hetimet dhe paraqitur cështjen për gjykim.

Në rastin e gjyqtarit Luan Daci, të katër kriteret e kërkuara nga ligji për vendosjen e masës së pezullimit përmbushen në mënyrë kumulative. Kjo pasi, (i) Luan Daci ushtron detyrën e gjyqtarit të KPA; (ii) Falsifikimi i dokumenteve lidhet me zgjedhjen e tij si gjyqtar i KPA; (iii) Falsifikimi i dokumenteve dënohet deri në tre vjet burg, dhe në rrethana të caktuara deri në shtatë vjet; dhe (iv) Luan Daci nuk është i zgjedhur sipas ligjit elektoral.

E zeza mbi të bardhë është e qartë se masa e pezullimit të ushtrimit të detyrës së gjyqtarit Daci është në përputhje të plotë me ligjin dhe kërkesat e tij. Gjykata e Apelit–jo vetëm nuk ka vlerësuar kriteret ligjore–por, ndërkohë që hetimet vazhdojnë, ka marrë kompetencat e gjykatës së themelit duke vendosur mbi fajësinë apo pafajësinë. Në këto kushte, Gjykata e Lartë duhet, që pavarësisht presioneve që kanë shoqëruar këtë histori nga fillimi, t’i bashkohet përpjekjeve kurajoze të SPAK për të vendosur ligjshmërinë në përbërjen dhe vendimmarrjen e KPA.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>