Për shumë muaj, qeveria mohoi haptazi rritjen masive të kultivimit të kanabisit në vend. Ajo u përpoq me çdo mjet të mundshëm, përfshi pohimet përpara ekraneve të televizioneve të huaja, të krijonte përshtypjen se sasia e kultivuar tani është më e vogël se sasitë e kultivuara gjatë qeverisë Berisha. Sipas qeverisë, sot duket sikur ka më shumë kanabis vetëm se ajo është më transparente se qeveria Berisha dhe bën të njohur publikisht çdo veprim të policisë.
Por, vetëm gjatë ditëve të fundit, ka pasur një sërë artikujsh dhe intervistash nga autoritete të ndryshme evropiane, të cilat pohojnë se marijuana shqiptare po bëhet një problem për shumë vende evropiane.
Sikurse është parë nga raportimet e gazetarëve zviceranë, anglezë dhe italianë dhe nga burime të ndryshme qeveritare dhe diplomatike në të gjithë Evropën, tema e drogës shqiptare është tashmë në qendër të vëmendjes së tyre.
Në veçanti deklaratat e forta të Nicola Gratterit dhe Cataldo Mottës—dy funksionarëve të drejtësisë italiane, të shquar për seriozitetin dhe përvojën e tyre të gjatë në luftën kundër krimit të organizuar—kanë rrëzuar justifikimet dhe gjithë mbrojtjen e qeverisë shqiptare.
Si duket, për këtë arsye, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri vendosi të ndryshojë strategji. Ai e la mënjanë strategjinë e mohimit dhe përqafoi strategjinë e politikë-bërësit serioz: bëri me dije se do të propozojë disa ndryshime në Kodin Penal, për të ashpërsuar dënimet për personat që janë pjesë e trafikut të drogës. Sipas Zotit Tahiri dënimet duhet të jenë në përpjesëtim me sasinë e drogës së kultivuar apo trafikuar.
Zoti Tahiri nuk dha asnjë shpjegim se pse ai gjykon se kultivimi i kanabisit është bërë masiv për shkak të dënimeve, që ai i konsideron, të buta të Kodit Penal, ndërkohë që ai nuk ka bërë publike dhe me shumë gjasa nuk ka asnjë analizë, studim, hulumtim apo qoftë edhe diskutim në lidhje me problemin e kultivimit të kanabisit.
Ky qëndrim i ri i ministrit dëshmon se problem i kanabisit, deri dje i mohuar nga qeveria, po vazhdon të përballet me demagogji prej saj.
Sepse dënimet e ashpra të propozuara nga ministri nuk do të gjenin asnjë fajtor për t’u zbatuar. Edhe pse policia pretendon se ka zhvilluar aksione serioze dhe ka shkatërruar më shumë se 2,4 milionë bimëve kanabis, numri i të arrestuarve prej saj në këto operacione është qesharak. Për më tepër, ata janë pothuajse të gjithë punonjës apo bashkëpunëtorë të nivelit më të ulët, ndërsa drejtuesit e trafikut apo të grupeve kriminale që organizojnë trafikun janë të paprekur.
Nëse qeveria do të dëshironte të luftonte me të vërtet kultivimin e kanabisit, ajo mund të zbatonte një strategji më efikase, si për parandalimin edhe për luftimin në terren, që më në fund do të mund të vinte nën pranga fajtorët.
Madje jo vetëm kanabisin, por edhe për trafikun e drogave të rënda dhe aktivitetet e tjera të organizatave kriminale në vend.
Pjesë e kësaj strategjie mund të jenë edhe ndryshimet në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale që mund të gjykohen të nevojshme për të luftuar dukurinë dhe për të ndaluar kriminalizimin e shumë zonave në vend. Por këto ndryshime duhet të jenë realiste dhe të studiuara.
Për shembull, propozimi i ministrit thotë se të gjithë trafikantët e drogës do t’i nënshtrohen kontrollit të pasurisë. Por ky propozim—në një vend ku sapo është miratuar një ligj, i cili parashikon kontrolle të befasishme në shtëpitë e gjyqtarëve dhe prokurorëve për t’u siguruar se ata nuk po vënë pasuri të paligjshme—duket naiv në mos qesharak.
Ndoshta, nëse Kushtetuta e lejon, në vend që të hetohen pronat e narkotrafikantëve, do të ishte më e logjikshme dhe sigurisht më efikase të konfiskohen menjëherë të gjitha pronat dhe të bllokohen menjëherë të gjitha llogaritë bankare dhe çdo e mirë tjetër e regjistruar në pronësi të tyre dhe të kujtdo personi të lidhur me kriminelin e arrestuar.
Kjo, ndoshta, do të ishte kërcënim për çdo trafikant dhe do të ndihmonte në shmangien e kanabizimit të vendit. Por mbi të gjitha do ta bënte të qartë për të gjithë, një herë e mirë, se Shqipëria nuk dëshiron të jetë atdheu i krimit të organizuar.