Strategjia e qeverisë për krizën në Kakavijë: Nuk kemi çfarë të bëjmë, emigrantët të kthehen mbrapsht

Nga Exit News
Strategjia e qeverisë për krizën në Kakavijë: Nuk kemi çfarë të bëjmë, emigrantët të kthehen mbrapsht

Teksa prej 13 gushtit, mijëra emigrantë shqiptarë po presin në rradhë kilometrike për të kaluar në Greqi, strategjia e vetme e qeverisë shqiptare ka qenë t’i këshillojë ata që të kthehen pas dhe të presin sa të qetësohet situata.

Pasi heshtën fillimisht, në 15 gusht, si kryeministri Rama, ashtu dhe ministrat Lleshaj e Xhaçka, kanë thënë se ‘qeveria nuk ka se çfarë të bëjë’ dhe se ‘nuk mund t’i imponohet palës greke për të ndryshuar masat kundër Covid-19’.

Exit News sjell më poshtë deklaratat e qeverisë shqiptare për krizën në Kakavijë.

Kryeministri Rama reagoi vetëm në 15 gusht, dhe tha se qytetarëve shqiptarë nuk po ju bëhet asnjë lloj padrejtësie dhe diskriminimi, pasi këto masa po merren kudo në botë për të parandaluar përhapjen e Covid-19.  Në një postim në Facebook, Rama u shpreh se qeveria shqiptare nuk ka se çfarë të bëjë:

‘Çfarë mund të bëjmë ne, qeveria dhe shteti shqiptar në këto kushte, kur e përsëris, ky është një rregull i përgjithshëm i shtetit grek, që prek edhe vetë grekët që kthehen në Greqi!’ 

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, fillimisht në 14 gusht, deklaroi se ai, së bashku me Ministrinë e Jashtme po ‘bënin përpjekje për të kërkuar para autoriteteve greke gjetjen e mundësive për përshpejtimin e procedurave të testimit dhe reduktimin e kohës së pritjes në kufi.’

Por në 15 gusht, Lleshaj i bëri thirrje qytetarëve që të shtyjnë planet e udhëtimit drejt Greqisë për një moment më të përshtashëm, ose të paktën të ndalojnë dhe të presin në kushte më të përshtatshme në qytetet ose fshatrat përgjatë rrugës, duke lënë të kuptohej se qeveria shqiptare nuk ka mundur të negociojë me palën greke.

Të njëjtën thirrje, për të mos u nisur drejt Kakavijës por për të shtyrë planet deri në qetësimin e situatës, e ka bërë, në 15 gusht, dhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.

Ajo shkroi se qytetarët duhet ta kenë të qartë që qeveria shqiptare nuk ka se si të ndërhyjë për të lehtësuar situatën sepse ‘këto janë masa të diktuara për parandalimin e COVID-19, nga një shtet tjetër.’

Drejtori i Emergjencave në Ministrinë e Mbrojtjes, Haki Çako, po ashtu, tha në 15 gusht se zgjidhja e situatës në Kakavijë nuk është në dorën e qeverisë shqiptare, pasi ajo nuk mund t’i imponohet qeverisë greke:

“Është një situatë që nuk është në dorën e shtetit shqiptar, megjithëse shteti shqiptar po e konsideron emergjencë. Ne jemi në kontakt me palën greke, por nuk u diktojmë dot detyrat.”

Ndërkohë zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj nuk ka bërë asnjë deklaratë publike. Ministria është mjaftuar me shpërndarjen në Facebook të qëndrimit të kryeministrit Rama.

Çfarë e shkaktoi krizën në Kakavijë?

Shkak për krijimin e radhës është vendimi i Greqisë për të vënë në karantinë të detyruar 7-ditore të gjithë ata që hyjnë në vend pas 16 gushtit.

Njëkohësisht qeveria greke ka vendosur testimin e detyrueshëm të atyre që kërkojnë të kalojë kufirin, që prej datës 10 gusht. Po ashtu, prej disa ditësh tashmë, dogana greke po punon me orar dhe staf të reduktuar, duke qëndruar hapur vetëm nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 22:00 të mbrëmjes.

Puna me orar të shkurtuar dhe bërja e tamponit për të gjithë emigratët ka bërë që procesi për të hyrë në Greqi të zgjasë shumë. Kjo ka krijuar radhë të gjatë makinash me emigrantë dhe njëkohësisht ka tensionuar qytetarët, të cilët janë detyrar të kalojnë natën në makinë dhe ditën të qëndrojnë në temperatura të larta.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>