Kancelarja Merkel dhe Kryeministri Edi Rama kanë bërë disa komente para mediave, para takimit mes tyre në zyrën e Kancelares, praktikë kjo e pazakontë.
Në komentet e saj, Kancelarja Merkel ka folur për pesë prioritete: luftës kundër krimit, luftën kundër korrupsionit, për reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it dhe reformën në drejtësi, me qëllim që Shqipëria të integrohet në BE.
Edhe pse ajo nuk i ka përmendur me emër shtatë kushtet e Bundestagut të njoftuara nga Kryetari i Komitetit të Bundestagut për Çështjet e BE-së Gunther Krichbaum para pak ditësh në Tiranë, praktikisht ajo i ka konfirmuar ato pikë për pikë.
Një burim pranë zyrës së deputetit Krichbaum konfirmoi për exit.al se në takim Kancelarja Merkel do të ngrejë problemin e drogës dhe të dekriminalizimit të politikës, duke i bërë ato kusht për çeljen e negociatave.
Në komentet e tij, Kryeministri Rama foli në terma të përgjithshme për aspiratat evropiane të Shqipërisë dhe përpjekjet e saj në këtë drejtim.
Edhe pse Kancelarja foli për krimin, korrupsionin dhe zgjedhjet e lira, Kryeministri Rama, zgjodhi të flasë vetëm për reformën në drejtësi dhe ligjin e vetingut.