Punimet për Gazësjellësin Trans Adriatik (TAP) kanë ndalur pasi në fshatin Turan të Korcës është zbuluar një vendbanim i hershëm.
Në një deklaratë në faqen zyrtare, TAP shkruan:
“Sipas vlerësimeve paraprake nga ekspertët e trashëgimisë kulturore në TAP, mendohet se bëhet fjalë për një vendbanim i cili daton që nga periudha e hershme e epokës së hekurit (shek. X – IX para erës sonë) e deri në periudhën e vonë romake (shek. IV – V të erës sonë), duke vlerësuar materialet prej qeramike të gjetura. Gjatë mesjetës (shek. XII – XV), kjo hapsirë duket që është përdorur si varrezë, duke ju mbivënë funksioneve që ka patur në periudhat e mëparshme.”
Ekspertët arkeologë që monitorojnë ndërtimin e tubacionit kanë ndërprerë punën derisa të përfundojë gërmimi nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë. Sipas TAP, trashëgimia kulturore është shumë e rëndësishme dhe ekipi i punës ka marrë të gjitha masat për të minimizuar ndikimin negativ mbi trashëgiminë kulturore, mjedisin apo komunitetet. Të gjitha artefaktet dhe gjetjet arkeologjike u janë dorëzuar autoriteteve përkatëse shqiptare, të cilat sigurojnë ekspozimin e tyre për publikun.
Në korrik të vitit 2016, TAP zbuloi në zonën e Skraparit një kapitel të shekullit VI.
Projekti TAP do të sjellë gaz nga Azerbajxhani në Detin Adriatik, dhe më pas në Itali. Projekti, i cili shtrihet në 215 kilometra në Shqipëri, pritet të përfundojë në vitin 2019.