Kryeministri Rama, gjatë muajve të fundit, është përpjekur disa herë të heshtë protestat e studentëve përmes deklaratave dhe vendimeve propagandistike. Në fillim, kur studentët filluan protestat dhe nuk pranuan të takoheshin me Kryeministrin, ai shkroi në Twitter se protesta ishte e kapur:
“Një grusht njerëzish që përsërisin qorrazi avazin kundër dialogut, mbajnë peng mijëra studentë që duan dhe meritojnë jo vetëm adresimin e 8 pikave, po një transformim të thellë brenda Universitetit, përmes një Pakti me Qeverinë!”
Në fund të dhjetorit, qeveria Rama mori një sërë vendimesh dhe shpërndau një dokument sqarues për plotësimin e kërkesave, të quajtur Pakti për Universitetin.
Vendimet e marra nga qeveria nuk sqaronin se ku do të gjendej fondi prej rreth 12 milionë euro i nevojshëm për plotësimin e kërkesave ekonomike të studentëve. Akordimi i një fondi të tillë nga buxheti i shtetit mund të bëhet vetëm duke ndryshuar ligjin e buxhetit për vitin 2019, tashmë të miratuar në Kuvend, ndryshim i cili mund të bëhet me një ligj (amendament) tjetër në Kuvend.
Studentët nuk u mashtruan nga propaganda dhe vazhduan protestat. Në janar, ato vendosën të ngujohen në godinat e fakulteteve të ndryshme deri në plotësim të kërkesave.
Madje as shkarkimi i ministrave dhe as turi i ministrave të rinj për të sqaruar paktin e universitetit nuk i bindi studentët.
Ndaj, përpjekja e fundit e qeverisë ishte të njoftonte anulimin e koncesionit të rrugës Thumanë-Kashar dhe kalimin e fondit nga buxheti i shtetit për këtë rrugë, në shërbim të universiteteve publike.
“Kam vendosur të bëj ndërprerjen e partneritetit publik-privat të aksit Kashar -Thumanë. Buxhetin e saj do t’ia dedikojmë Paktit për Universitetit”, u shpreh Minsitrja e re e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Duke e prezantuar vendimin si një masë që qeveria Rama po merr për të plotësuar kërkesat e studentëve, ministrja Balluku, nuk dha asnjë sqarim se për përse u anulua PPP-ja, sa do të jenë fondet që do t’i kalojnë universiteteve dhe si do të përdoren realisht ato.
Por, menjëherë pas deklaratës së Ballukut, deputetja e PD-së, Albana Vokshi, reagoi duke thënë që në buxhetin e vitit 2019, qeveria nuk ka parashikuar fonde për këtë rrugë, e për rrjedhojë, nuk do të ketë fonde për universitetin për këtë vit:
“Kryeministri i ka gënjyer studentët, sepse për Thumanë – Kashar këtë vit në buxhetin e shtetit nuk është parashikuar asnjë qindarkë.”
Ministrja e Shtetit për Parlamentin Elisa Spiropali, në një konferencë për shtyp, kundërshtoi pretendimin e deputetes Vokshi, por nuk sqaroi se sa ishte fondi për koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar në buxhetin e vitit 2019, që duhet të kalojë në shërbim të paktit për universitetin.
Deklarata e Zonjës Spiropali, njësoj si ajo e ministres Balluku, nuk sqaron se sa para do të shkojnë për universitetet publike në vitin 2019. Me një vështrim të shpejtë të buxhetit për vitit 2019, del qartë se qeveria nuk kishte parashikuar asnjë zë në buxhet për rrugën Thumanë-Kashar për vitin 2019. Zbatimi i marrëveshjes mes kompanisë fituese të koncesionit dhe qeverisë do të niste në vitin 2020.
Deri në një deklaratë të dytë apo vendim zyrtar të qeverisë Rama për të shpërndarë fondet e rrugës Thumanë-Kashar drejt universiteteve publike, deklarata e ministres Balluku mbetet në nivelet e një deklarate propagandistike dhe e pavërtetë njësoj si deklarata e mëparshme të Kryeministrit.