Pas rekomandimit të Ministrisë së Arsimit për zhvillimin e mësimit me disa turne, shkollat kanë nisur hartimin e planeve të veçanta, bazuar në numrin e nxënësve dhe klasave që kanë.
Exit News ka siguruar një plan ndarjeje të klasave në një shkollë të mesme me 503 nxënës.
Sipas planit, mësimi do të ndahet me 2 turne dhe orët e mësimit do të jenë 25 minutëshe. Klasat do të kenë nga 15 nxënës dhe do të jenë të shpërndara në të tre katet e godinës.
Për turnin e parë, mësimi do të nisë në orën 08:00 të mëngjesit dhe do të mbarojë në orën 10:55. Ndërsa për turnin e dytë, mësimi do të fillojë në orën 11:15 dhe do të përfundojë në orën 14:10.
Ajo që vihet re nga plani për shkollën është koha e shkurtër e pushimit mes dy turneve.
Koha prej 20 minutash mes dy turneve me shumë gjasa nuk është e mjaftueshme për dezinfektimin dhe pastrimin e të gjithë shkollës dhe bërjes së ambienteve gati për nxënësit e turnit të dytë. Në udhëzimin hartuar nga ministria, theksohej se klasat duhet të dezinfektoheshin pas çdo turni.
Po ashtu, teksa ky plan duket i menduar për një shkollë me 503 nxënës, shumica e shkollave në Tiranë kanë mbi 1000 nxënës secila. Secila klasë ka zakonisht 35 deri në 50 nxënës dhe ndarja e tyre në grupe prej 15 nxënësish do ta dyfishonte ose trefishonte numrin e klasave të nevojshme.
Për këto shkolla ende nuk ka një plan mësimi, të paktën publikisht. Praktikisht, ndarja e këtyre klasave në disa grupe është e pamundur sepse shkollat nuk kanë klasa boshe.
Po ashtu, është ende e paqartë se si do të mbulohet me stafin e nevojshëm të mësuesve për të përballuar shtimin e numrit të klasave dhe orëve të zgjatura të mësimit, veçanërisht për ato shkolla që do të punojnë me më shumë se dy turne.