Në vitin 2013, sapo erdhi në pushtet, Kryeministri Rama filloi fushatën “për pastrimin e policisë së inkriminuar”. Plani i Kryeministrit ishte “shkrirja e Policisë së Shtetit, dhe krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe e Krimit.”
Në qershor 2013, Edi Rama deklaroi:
“Ne do të ndërtojmë Byronë Kombëtare të Krimit. Është një institucion i kërkuar në mënyrë të përsëritur nga e gjithë asistenca e specializuar ndërkombëtare për Shqipërinë, për të bashkuar në një strukturë të vetme një sërë çështjesh që sot janë të pakoordinuara.
[Në 2013-ën] marrja në punë e njerëzve në polici bëhet me lekë. Sa më i lartë rangu, aq më e lartë shuma e parave. Të gjitha këto struktura aktuale, janë të shpartalluar dhe të çakorduar. Ne do sjellim standarde, do sjellim Europën.
Do marrim në punë njerëz me kritere transparente, do të bëjmë shpërblimin e tyre, skemë e propozuar nga ekspertiza ndërkombëtare.”
Por ky plan nuk u vu në jetë asnjëherë. Me vënien në krye të Ministrsë së Brendshme të Saimir Tahirit, policia e shtetit u bë “Policia që Duam”. Kjo ishte një ndër fushatat më të përfolura në media e Kryeministrit Rama, edhe për faktin se gjatë kohës së policia organizonte panaire apo spektakte të tjera të panevojshme, në vend po rritej gjithnjë e më tepër kultivimi i kanabizit.
Gjatë një fjalimi përpara efektivevë të Policisë së Shtetit, Kryeministri Rama u shpreh:
“Mos e harroni kurrë, sa herë që ndjeheni të akuzuar pa të drejtë, një shprehje të famshme të Kantit: “Kur dikush të akuzon për diçka që nuk e ke bërë, ose e ka bërë vetë, ose është në gjendje ta bëjë vetë”. E tillë është edhe akuza për paratë e drogës dhe për paratë e krimit; Ose i kanë marrë vetë, ose janë në gjendje t’i marrin vetë.
Çdo ditë sulmojnë Policinë e Shtetit. Çdo ditë organizojnë konferenca, fjalime, sulme për Policinë e Shtetit.
Nëse në fund të ditës, sot me ju do të kisha nderin të bëja një “Photo of the day”, do të isha njeriu më i lumtur për ditën e sotme në këtë vend.”
Gjatë katër viteve në pushtet, Kryeministri Rama ka folur gjithnjë me superlative për punën e Policisë së Shtetit dhe ministrit të Brendshëm Tahiri.
Deri dje, kur Kryeministri prezantoi krijimin e një Task Force Speciale ku do të ketë dhe agjentë të FBI-së amerikane, për të luftuar krimin e organizuar, kaq shumë të përfolur nga institucionet ndërkombëtare:
“[Të hënën] qeveria do të mblidhet për të miratuar ngritjen e një Task Force Speciale në Policinë e Shtetit për operacionin më afatgjatë dhe intensiv kundër krimit të organizuar. Një pjesë e kësaj strukture “Forca e Ligjit” do të jetë sekret dhe nuk do të ndahet me askënd, vetëm me agjencitë kombëtare dhe ndërkombëtare. Më mbush me optimizëm edhe përfshirja e agjentëve të FBI. Do të na bashkohen edhe agjentë të tjerë të FBI kundër krimit të organizuar dhe krimit ekonomik, që do të japin eksperiencën e tyre në Shqipëri. Do të luftojmë me krimin e organizuar dhe krimin ekonomik.”
Deri më sot, kur tonelata me kanabis nga Shqipëria kapen çdo ditë në brigjet italiane nga Guardia di Finanza, por jo në brigjet shqiptare nga policia, pavarësisht gjithë strukturave të krijuara , policia nën qeverisjen e Edi Ramës ka dështuar në luftën kundër kanabisit dhe krimit të organizuar.