Të mos dhunohesh nuk është zgjedhje

Nga Dilfirus Vrioni
Të mos dhunohesh nuk është zgjedhje

S’ka nevojë të jesh feministe që të mos duash apo të denoncosh vrasjen e një gruaje. Për këtë mjafton të jesh njeri dhe dënon vrasjen si akt.

Dhe vrasja nuk ka nevojë që të jetë shumë e tmerrshme e me tortura që njerëzve t’u kujtohet se nuk është mirë ta torturojmë tjetrin. Pra, vrasja është vrasje sidoqoftë ajo. Fakti që opinioni publik në vendin tonë është shumë më i ndjeshëm dhe kjo në propocion me mënyrat e vrasjes dëshmon për një tipar të çuditshëm të karakterit tonë psikologjik që ndoshta psikologët e emisioneve televizive do ta analizojnë më mirë …

Aktet e dhunës ekstreme dhe marrjes së jetës të personave brenda familjes, qoftë kjo gruaja, burri, babai, nëna, fëmija, vëllai, motra apo edhe fqinja janë njëlloj makabre dhe të patolerueshme. Në të gjitha rastet pothuajse vrasësit dhe viktimat kanë qënë pré e një lumi diskutimesh, që kanë mbushur titrat, lajmet, emisionet. Domethënë një hall personal, që në fakt nuk është personal, mbush hapësirën televizive ku duhet të trajohej problemi dhe halli më i madh kolektiv edhe social që ekziston. Por mesa duket askush nuk do të shoh problemin e madh social që ekziston aq më pak ta trajtojë, kjo për tre arsye, e para se mendojnë se njerëzit nuk kuptojnë, e dyta se nuk ka asnjë interes ekonomik direkt në ato tema të ulëta që prekin « fatkeqët », e treta se e nuk kanë besim të ndryshojnë ndonjë gjë.

Dhe unë mendoj njëlloj si ata: për t’u trajtuar problemi duhet filluar nga zanafilla. Dhe të gjithë e dinë se zanafilla është injoranca, injoranca e ka zanafillën tek varfëria dhe varfëria e pjesës më ta madhe të popullsisë së këtij vendi e ka zanafillën tek korrupsioni.

Çudia më e madhe në këtë reagim, pra kur vrasësi është dikush i cili vret dikë brenda familjes, është se ky njeri vret dikë të afërt. Pse nuk vret dikë jashtë familjes, dikë në rrugë rastësisht, dikë që s’ka lidhje të drejtëpërdrejtë fare me hallin e qyqarit, por që me indiferencën e tij e ka vrarë çdo ditë nga pak. Ndoshta kështu do kuptonim se çfarë po bën secili me indiferencë dhe do të reagonim më shumë. Por ata janë « injorantë » pra, ata nuk do ta kuptojnë kurrë që për varfërinë që ata kanë e ka fajin secili nga ne. Që fakti që ai ka mbetur pa shtëpi, që nuk ka para t’i çoj fëmijët në shkollë, që nuk ka mundësi të kurojë sëmundjet se spitalet nuk funksionojnë, se s’ka punë për të, është dikush tjetër që e ka fajin, por me siguri nuk e ka fajin një njeri brenda familjes. Por, shqiptarët janë njerëz pa guxim edhe injorantë. Ata shkojnë dhe qajnë hallet në televizion, kërkojnë gjykatën në televizion, vrasin njerëzit e shtëpisë.

Unë nuk jam feministe. Jam humaniste. Unë nuk mendoj se njeriu zgjedh të mos dhunohet (titull emisoni) se kështu implikohet edhe pohimi që ata që dhunohen na zgjidhkan që të dhunohen. Jo, shoqëria punon çdo ditë për të mos patur dhunë në gjirin e saj. Punon për të edukuar të rinjtë, hapur biblioteka, ndërtuar infrastruktura, i bën të ndihen qytetarë individët që e banojnë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>